Vrasja e Hamide Magashit nga ish-burri i saj para dyerve të Klinikës së Gjinekologjisë ka dridhur themelet e çdo institucioni publik që ishte përgjegjës.
Gazeta Insajderi mëson nga burimet e sigurta brenda Gjinekologjisë, se Inspektorati Shëndetësor tashmë ka nisur hetimet brenda kësaj klinike.
Këto burime i thanë Gazetës se dje gjatë ditës Inspektorati ka zbarkuar në klinikën e Gjinekologjisë. Ata kanë marrë deklaratat e ekipit kujdestar që kanë qenë në ndërrim natën që u vra Hamide Magashi.
Burimet tregojnë se Inspektorati Shëndetësor ka qenë i pranishëm në Klinikë edhe një ditë pas vrasjes, ditën e enjte.
“Inspektorati Shëndetësor kanë qenë dje dhe pardje, ata kanë marrë deklaratat nga ekipi kujdestar që ka qenë atë natë në ndërrim”, thotë ky burim për Insajderin.
Rasti i fundit makabër që ndodhi ka bërë që ky dikaster të kryqëzohet edhe më shumë për jotransparencë dhe papërgjegjësi.
Hamide Magashi, një 35 vjeçare shtatzëne në muajin e nëntë u vra mizorisht nga ish-burri i saj para dyerve të Klinikes së Gjinekologjisë, në QKUK.
Një ‘urdhër’ i prerë ndërpriti çdo formë komunikimi apo transparence me udhëheqësit e këtij dikasteri, e që kishte të bënte me tragjedinë që ndodhi brenda institucioni publik.
Që nga drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj i cili tash e më shumë se 30 orë nga ngjarja nuk ka nxjerr asnjë reagim lidhur me vrasjen që ndodhi para klinikes që ai udhëheq.
Kurse, ud drejtoresha e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci dhe ud ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dje në mbledhjen e komisionit parlamentar të Shëndetësisë zgjodhën heshtjen kur u pyetën për dorëheqjen morale dhe përgjegjësi.