Një grua shtatzënë e në prag të lindjes së foshnjës së saj është vrarë mbrëmjen e së mërkurës, nga burri i saj. Ngjarja ndodhi pikërisht në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, ku ajo priste të lindte foshnjën.
Lidhur me rastin kanë reaguar krerët shtetëror e shoqëria civile. Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se sot (e enjte) në ora 8:30 do të mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.
“Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë. Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë. Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave. Nesër në orën 08 e 30, mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional”, tha Haxhiu.