Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar sot në telefon me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, “për qëndrimet e Beogradit zyrtar në prag të vazhdimit të dialogut me Kosovën”.
Sipas presidencës serbe, ata ranë dakord se gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes në Ballkanin Perëndimor.
“Me atë rast, bashkëbiseduesit thanë se, duke punuar në forcimin e marrëdhënieve serbo-turke, do të japin një kontribut të fuqishëm për stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftim.
“Erdogan falënderoi Vuçiqin për sakrificën e ekipeve të shpëtimit nga Serbia, të cilat morën pjesë në ofrimin e ndihmës për banorët e qyteteve të prekura në Turqi, dhe për mbështetjen tjetër që vjen nga Serbia”.
Ata po ashtu diskutuan edhe për çështjet aktuale globale.
Kjo telefonatë vjen pasi të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të diskutojnë në Bruksel për propozimin e BE-së rreth normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.