Në një kohë kur në Ecropë është rritur shqetësimi për një depërtim edhe më të madh të ndikimit ruso-kinez në Ballkanin Perëndimor, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq thotë se mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, justifikon politikën e tij me dy fuqitë e tjera.
Ai në një intervistë për Financial Times tha se vendimi i BE-së për dy shtetet ballkanike, pavarësisht reformave që kanë ndërmarrë, tregoi se “jo gjithçka varet nga ne”.
Vuçiq ka shtuar se vendimi për të mos hapur negociatat me Tiranën dhe Shkupin e justifikon politikën e tij për marrëdhënie më të afërta me Kinën dhe Rusinë.
“Ne nuk mund të varemi nga vendimi i radhës i Këshillit Evropian, ose se çfarë do të vendosë Qeveria holandeze, apo se nëse Qeveria daneze do të bëjë diçka tjetër”, tha Vuçiq.
Ndryshe, nesër Serbia do të firmosë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Unionin Euro-aziatik, i cili është një bllok ekonomik rival i BE-së, i udhëhequr nga Rusia.