“Kurti po përpiqet t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre me lëvizje të njëanshme dhe në këtë po e mbështesin Gjermania dhe Britania e Madhe”. Kështu ka pretenduar presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ndodhet në një vizitë dyditore në Francë, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes.
Pas takimit me të dërguarin special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borell, Vuçiq tha se Kosova ishte tema kryesore.
Sipas tij, ata kanë diskutuar për të parë nëse ka ndonjë mënyrë për të arritur një zgjidhje kompromisi.
“Është diçka që nuk mund të të lërë indiferentë, e të mos të japë mundësi të bësh gjëra të tjera të mira. Lajmi i keq është se Kurti po përpiqet t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre me lëvizje të njëanshme”, tha Vuçiq.
Vuçiq shtoi se Borelli dhe Lajçak ndanë me të detajet e bisedës me Kurtin, duke shtuar se nuk ishin optimistë.