Live

Vulini thotë se “Shqipëria e madhe” rrezikon paqen, “atë e ruan vetëm ‘bota serbe’”

19:59 / 29 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Kryetari i Lëvizjes Socialiste në Serbi, Aleksandar Vulin, po vazhdon me idenë e tij se Prishtina dhe Tirana po punojnë drejt krijimit të “Shqipërisë së madhe”.

Në deklarimin e tij të fundit publik, ai po thotë se kjo ide është kërcënim i madh për paqen në Ballkan.

Ndërkaq, thotë se e vetmja gjë që mund ta ruajë paqen në rajon është “bota serbe”.

“Shqipëria e Madhe është një kërcënim i madh për paqen në Ballkan dhe e vetmja gjë që mund të ruajë paqen është bota serbe. Serbët e bashkuar janë garantuesi që shqiptarët e bashkuar nuk do të përhapen në zonat ku ata nuk jetojnë. Procesi i bashkimit të shqiptarëve është i mundur vetëm nëse do të zgjidhej çështja kombëtare e serbëve”, tha Vulini, raporton “Politika”, transmeton Klankosova.tv.

Ish-ministri i Brendshëm serb thotë se Perëndimi, “i cili haptazi inkurajon bashkimin e shqiptarëve, duhet të ndihmojë ose të mos e kundërshtojë bashkimin e serbëve”.

“Gjithçka që u lejohet shqiptarëve nuk mund t’u mohohet serbëve”.

“Ballkani do të jetë i suksesshëm dhe paqësor nëse zgjidhet çështja kombëtare e popujve në Ballkan, prandaj bota serbe është kusht për mbijetesën e popullit serb dhe detyrë themelore e kësaj gjenerate të politikanëve serbë në të gjitha vendet e Ballkanit ku jetojnë serbët”, tha Vulini.

Mediat serbe i dhanë jehonë të madhe lajmit për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të kuvendit të Shqipërisë me atë të Kosovës për festën e Ditës së Flamurit, në Tiranë.

Po ashtu, pengesë për mediat serbe të ndikuara nga pushteti, ishte edhe ndriçimi i ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me flamurin kuqezi, sikurse edhe të gjitha ngjarjet e djeshme të përbashkëta Kosovë-Shqipëri për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërkaq, deklarata e Vulinit për ‘botën serbe’ nuk është e re. Ai edhe sa ishte ministër e pati proklamuar projektin e bashkimit të serbëve kudo që janë, të cilët do të ruheshin nga Ushtria serbe në vendet e rajonit. Kjo ide është perceptuar si ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe si paralajmërim i kthimit të politikës destruktive të Serbisë.

Bosnje dhe Hercegovina i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të distancohet nga agjenda politike e Vulinit. Ndërkaq nga Kosova vijnë vlerësimet që porositë kërcënuese të Vulinit pasqyrojnë politikën e Beogradit zyrtar. Nga Mali i Zi, Vulinin e patën pranuar dhe kundërshtuar.

Shpërndaje në

U Kopjua