VV, AAK dhe NISMA kundër vendimit të Thaçit
Lëvizja “Vetëvendosje”, AAK dhe NISMA-Socialdemokrate e kanë kundërshtuar thirrjen e Presidentit Thaçi që koalicioni PAN ta propozojë një mandatar të ri për formimin e qeverisë.
Shemsi Syla, përfaqësues i “Vetëvendosjes” ka thënë të premten se partia e tij e kundërshton këtë vendim të Presidentit Thaçi.
Syla ka thënë se ata i kanë gati nënshkrimet për ta shpërbërë Kuvendin dhe se ata duan zgjedhje të lira sa më parë të jetë e mundur.
Po ashtu, kundërshtim me vendimin e Thaçit ka paraqitur të premten edhe partia NISMA-Socialdemokrate, e cila është pjesë e koalicionit PAN.
Shefi i deputetëve të kësaj partie, Bilall Sherifi, ka thënë se “këto janë përpëlitjet e fundit të presidentit para se të shpallë datën e zgjedhjeve”.
Njëjtë si NISMA-Socialdemokrate janë deklaruar edhe nga partia e kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj. Edhe nga AAK thonë se nuk e mbështesin një formulë të tillë.
Ndryshe, përmes një shkrese zyrtare, dërguar bartësve të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar sot nga koalicioni PAN që të propozojnë kandidat të ri për të mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.