Themeluesi i grupit të mercenarëve rusë, Wagner, tha se forcat e tij kanë marrë kontrollin e Krasna Hora, një fshat në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, që gjendet afër Bahmutit, objektivit kyç të forcave ruse.
“Sot vendbanimi i Krasna Horës është marrë nga trupat sulmuese të kompanisë private ushtarake të Wagner-it”, tha themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prighozin, përmes një audio-mesazhi të postuar në Telegram më 12 shkurt.
Në një video të ndarë janë shfaqur luftëtarët e Wagner-it, që dukej se gjendeshin në hyrje të Krasna Horës. Radio Evropa e Lirë e ka pasur të pamundur të verifikojë pretendimin e Wagner-it se ka pushtuar këtë fshat, që para luftës kishte një popullsi prej 600 banorësh.
Forcat ruse, të mbështetura nga Wagner-i, e kanë bërë Bahmutin si objektiv kyç të ofensivës së tyre në lindje të Ukrainës. Prigozhin më 12 shkurt u zotua se Wagner do të marrë qytetin, që gjendet përgjatë disa autostradave të rëndësishme, teksa ky qytet strategjik është nën sulm për muaj të tërë.