Përkundër problemeve të vazhdueshme me muaj të tërë, në ditët e fundit funksionimi i ueb-faqeve të Komunave është tërësisht jashtë funksionit.
Komunat e Republikës së Kosovës, ende janë duke u ballafaquar me probleme në fushën e teknologjisë informative, mosfunksionimin e web faqeve të Komunave dhe kjo po vështirëson punën në kryerjen e detyrave të përditshme
Kështu problemet me webfaqe në Komuna po kanë efekt edhe në afate ligjore të Komunave në shume procese, pastaj qytetarët po ankohen për mungesë transparencë dhe kështu ky problem është bërë pengesë e jashtëzakonshme në kryerjen e punëve ditore të Komunave të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë problem, Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka dërguar disa kërkesa Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, por pa ndonjë efekt pozitiv në këtë drejtim.
Komunat edhe një herë shprehin nevojën urgjente në tejkalimin e kësaj situate nga institucionet përgjegjëse sikurse është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
Sipas zyrtarëve komunalë, kjo po ndodh kryesisht për shkak të problemeve apo ngarkesave në serverat që mirëmbahen webfaqet e komunave dhe të problemeve të natyrës së tillë, e të cilat janë tërësisht në nivelin qendror.
Duhet ritheksuar se kjo gjë, ndëshkon Komunat, sidomos gjatë procesit të vlerësimit të transparencës, gjatë vlerësimit të performancës komunale, në procesin e publikimit të dokumenteve për konsultimet me publikun, sepse dihet që shumica e dokumenteve kanë afat kohor të caktuar të publikimit.