Live

Xhaçka: Kosova e ka më të rëndësishme se asnjëherë t’i ketë miqtë në krah

17:58 / 07 Janar 2023

Nga Kosova Live

“…unë kam takime të rregullta me ambasadorin amerikan për çdo javë dhe jemi vazhdimisht në kontakt e në komunikim dhe pothuajse gjithmonë pajtohemi, por jo gjithmonë, sepse unë nuk mund t’i përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasadori amerikan dhe as Sekretari i Shtetit apo Departamenti i Shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën”.

Për këtë deklaratë të fundit të Kurtit në një intervistë për Zërin e Amerikës u pyet ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila nuk e komentoi atë, por theksoi se Kosova sot e ka më të rëndësishme se asnjëherë që t’i ketë të gjithë miqtë në krah.

“Nuk kam asnjë koment për deklaratat që bën cilido përfaqësues i vendit të tij, aq më pak Albin Kurti. Nuk po besoj se deklarata e tij ka qenë kështu siç e thoni ju, unë e kam ndjekur. Por, Kosova sot e ka më të rëndësishme se asnjëherë që t’i ketë të gjithë miqtë në krah dhe SHBA-ja është një mbështetëse e palëkundur e rrugës së Kosovë drejt integrimit Europian. Krahas SHBA’ve, edhe partnerët europianë po bëjnë të pamundur jo vetëm për qetësimin e situatës në veri, por për të gjetur zgjidhjet më të mira për të shkuar drejt asaj që do të ishte njohja e ndërsjellët. Ne jemi avokatë të faktit se vetëm dialogu mund të na çojë atje”, u shpreh Xhaçka.

Më tej, Xhaçka tha se Kosova është në epiqendër të çdo vendimi që merr Republika e Shqipërisë. Ajo tha se Shqipëria ka ndjekur me interes ngjarjet në Kosovë në javët e fundit dhe vlerësoi punën e policisë.

“Një zgjidhje e vërtetë, afatgjatë, dhe e qëndrueshme mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje për njohjen e ndërsjellë. Ne jemi absolutisht mbështetës të kësaj qasjeje. Sovraniteti i Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt të pranohet ky sovranitet nga Serbia, aq më mirë do të jetë për rajonin. Retorika nacionaliste dhe kërcënimet për zgjidhje ushtarake vetëm nxisin tensionin dhe ne kemi qenë gjithmonë kundër kësaj. Nuk ka pasur absolutisht në asnjë rast të vetëm asnjë lloj mbrojtjeje të Serbisë duke dëmtuar Kosovën. Në çdo vendimmarrje të Ministrisë së Jashtme, në çdo vendimmarrje të shtetit shqiptar Kosova është gjithmonë në epiqendër, është në zemër, është në mendje dhe absolutisht interesat e saj janë në qendër të çdo vendimi që ne marrim”, tha Xhaçka në një konferencë për mediat./A2CNN

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...