Live

Zelensky kalon kufirin me Poloninë, çka ka në agjendë?

11:28 / 05 Prill 2023

Nga Kosova Live

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kaluar kufirin për në Poloni, ku do të bëjë një vizitë zyrtare te një aleat i ngushtë, tha sot këshilltari i tij për politikën e jashtme.

“Mund të them se Zelensky ka kaluar kufirin polak”, tha Marcin Przydacz për televizionin privat TVN24.

Vizita, e njoftuar këtë javë nga Polonia, por jo e konfirmuar zyrtarisht nga Kievi, vjen pasi Ukraina planifikon të nisë një kundërofensivë në javët ose muajt e ardhshëm për të rimarrë territorin e pushtuar në lindje dhe jug të saj.

Si një aleat i ngushtë, Polonia luajti një rol të madh në inkurajimin e mbështetjes ushtarake dhe politike perëndimore për Kievin kundër pushtimit rus.

“(Vizita) duhet kuptuar si një shenjë besimi dhe mirënjohjeje për Poloninë dhe polakët”, tha Przydacz në televizion mbrëmë.

Polonia ka pranuar më shumë se një milion refugjatë ukrainas gjatë 13 muajve të fundit të luftës. Anëtari i NATO-s luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm, në bindjen e fuqive të tjera perëndimore për të furnizuar Ukrainën me tanke dhe armë të tjera.

Furnizimet ushtarake ishin thelbësore që Ukraina të mbrohej dhe të hakmerrej kundër forcave ruse, që kaluan kufirin ukrainas në shkurt 2022.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, tha dje se Kievi është mirënjohës ndaj Polonisë për hapjen e rrugës për dërgesat e aeroplanëve luftarakë MiG. Przydacz tha se MiG-ët e parë tashmë janë dorëzuar në Ukrainë.

“MiG-të nga Polonia do të forcojnë ndjeshëm mbrojtjen tonë, do të na lejojnë të bëjmë qiejt tanë më të sigurt, të shpëtojmë jetën e qytetarëve tanë dhe gjithashtu të zvogëlojmë shkatërrimin e shkaktuar nga sulmet ruse”, shkroi Reznikov në Telegram.

“Gjatë udhëtimit, Zelensky do të takohet me presidentin polak Andrzej Duda dhe kryeministrin Mateusz Moraëiecki, si dhe do të bisedojë me refugjatët ukrainas dhe qytetarët polakë”, tha Przydacz.

“Bisedimet do të fokusohen në zhvillimet në vijën e parë të Ukrainës, mbështetjen ndërkombëtare dhe bashkëpunimin ekonomik”, shtoi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua