Live

Zemaj: Kurti fali Serbinë për të kaluarën

10:18 / 23 Mars 2023

Nga Kosova Live

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka folur për Marrëveshjen e Ohrit të arritur me 18 mars, në mes të Kosovës e Serbisë.

Ai thekson se për LDK-në kjo marrëveshje nuk është në favor të Kosovës dhe se në të ardhmen do të kemi probleme të njëjta në komunikimin etnik, ndërsa që dialogu do të duhej të përfundonte me njohje.

“Mund të themi që procesi i dialogut i udhëhequr nga kryeministri Kurti ka treguar nivelin e papërgjegjësisë, konkluzione edhe të paaftësisë së tij dhe të mos dhënies së rëndësisë, e cila ka si proces që do të duhej të ishte përfundimtar dhe mënyrën se si i ka trajtuar edhe partnerët dhe dialogun, e kemi një marrëveshje që nuk e favorizon Republikën e Kosovës e as të ardhmen e saj, mbi të gjitha edhe për një kohë të gjatë. Në vitet e ardhshme do të merremi me probleme të njëjta pothuajse në komunikimin etnik ose të fuqizimit të subjektivitetit të brendshëm të Kosovës, gjë e cila do të duhej të përfundonte me njohje reciproke dhe të ishte tashmë proces i përfunduar”, shprehet deputeti.

Sa i përket asaj se marrëveshja nuk është nënshkruar, Zemaj thotë se Kurti tenton ta arsyetojë Vuçiqin dhe kauzat e rrejshme me të cilat ka ardhur në pushtet, duke kundërshtuar atë që e quanin Zajednicë, ndërsa që tani ka pranuar diçka që e tejkalon atë dhe në Kosovë do të formohet pushtet i ri për komunitetin serb.

“Është mënyrë arsyetimi që jep kryeministri në raport me dialogun, ose duke tentuar ta ruajnë njëri tjetrin, edhe presidentin serb në raport me qytetarët e tij por edhe atë të cilën e ka mohuar dhe ky ka ardhur në pushtet me ato kauzat e rrejshme para qytetarëve të Kosovës, qoftë asociacionin që e quanin Zajednicë dhe tani ka tejkaluar atë nivel duke u marrë edhe me terma të rinj, që krijojnë pushtet të ri për komunitetin serb, jo për bashkësinë e komunave serbe, por për komunitetin serb, Kishën Serbe dhe kjo me të vërtetë është për të ardhur keq dhe qytetarët dhe institucionet e Kosovës do të përballen me një realitet të ri. Dhe se a është nënshkruar është marrëveshje që e ka pajtimin e plotë të palëve me ndërmjetësues ndërkombëtarë dhe ata janë garantues të kësaj marrëveshje”, potencon deputeti Armend Zemaj për Gazeta Blic.

Kurse, lidhur me njohjen de facto që thotë Kurti se është arritur përmes kësaj marrëveshje, deputeti thotë se ai luan me fjalë dhe as nuk e kupton se çka është njohja de facto e as ajo de jure që kërkohet.

“Kryeministri Kurti nuk e ka idenë se çka është njohja de facto dhe çka është kërkesë e Kosovës për njohje de jure. Më shumë merret me terminologji fiktive, me fjalamani të madhe të mashtrimit dhe mundohet atë të cilën e ka pasur kauzë politikë dhe rezultoi me një humbje 15 vjeçare të Kosovës, mundohet të thotë se brenda kësaj marrëveshje ekziston edhe njohja de facto”, vlerëson Zemaj.

Lidhur me deklarimin e Kurtit se është treguar bujar me ofertën që i ka bërë presidentit Vuçiq, ai thotë se kryeministri është treguar bujar duke e falur të kaluarën e duke i neglizhuar ato që kanë përjetuar qytetarët e Kosovës në luftë nga Serbia dhe është treguar bujar edhe në marrëveshje, duke avancuar në vetëmenaxhim të serbëve dhe se kjo është papërgjegjësi e turp që e ka bërë ai.

“Fatkeqësisht kryeministri është treguar tepër bujar por është treguar neglizhent edhe për historinë e hidhur të Kosovës dhe qytetarëve të saj që kanë pësuar në luftë nga agresori Serbia. Është treguar bujar edhe duke e falur të kaluarën ose duke mos u marrë me të kaluarën dhe dëmet që i ka shkaktuar Kosovës Serbia. Dhe kjo është tregues që në bujarinë e tij për marrëveshjen sepse të pranosh marrëveshje pa njohje dhe të avancosh në vetëmenaxhim në kuptimin në raport me Vuçiqin për komunitetin serb dhe lidhjen direkte që t’i sigurohet atyre. Kjo nuk është bujari, është papërgjegjësi dhe turp për atë të cilën ka vepruar dhe që po e deklaron”, thotë deputeti.

Ndërsa, sa i përket ndryshimit të qëndrimit të Kurtit lidhur me asociacionin sa ka qenë në opozitë dhe tani në pushtet, Zemaj thotë se për këtë duhet pyetur ai dhe VV-ja që ka mashtruar qytetarët për 15 vite dhe në fund është pajtuar për diçka që tejkalon asociacionin, ku do të krijohet pushtet i ri në vend.

“Këtë pyetje duhet bërë atij dhe Vetëvendosjes dhe gjithë mbështetësve të tyre që për 15 vjet ka mashtruar qytetarët, ka hedhur baltë në institucionet e saj, ka dërguar qytetarët në veprime të dhunshme dhe në fund të fundit pajtohet me diçka që shkon përtej asociacionit. Nuk është më problem asociacioni i komunave me shumicë serbe por është problem mënyra dhe përgjegjësia kushtetuese dhe frika që të kemi një pushtet të ri në Kosovë, që do ta prishë balancin kushtetues për të ardhmen e saj”, deklaron deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Shpërndaje në

U Kopjua