Live

Zgjerohen protestat në Katalonjë pas burgosjes së liderëve pro-demokracisë

21:50 / 18 Tetor 2019

Nga Kosova Live

Qindra mijëra mbështetës pro-pavarësisë nga gjithë rajoni i Katalonjës, janë mbledhur të premten, teksa sindikatat kanë bërë thirrje për greva të përgjithshme, në ditën e pestë të protestës, që vjen si pasojë e burgosjes së nëntë liderëve separatistë.

Agjencia e lajmeve, Reuters ka thënë se shumica e personave që janë nisur në vendin e protestave, kanë mbajtur flamuj pro-demokracisë, apo fjongo të verdha, në shenjë proteste ndaj burgosjes së liderëve të këtij rajoni.

Federata Spanjolle e Futbollit ka thënë përmes një deklarate se ndeshja e 26 tetorit që ishte planifikuar të zhvillohej kundër ekipit Real Madrid, do të shtyhet për një datë tjetër, pas shqetësimeve për sigurinë.

Tensionet në mes të Madridit dhe Katalonjës janë rritur prej të hënës, kur Gjykata Supreme e Spanjës ka dënuar nëntë politikanë dhe aktivistë deri me 13 vjet burgim për shkak të rolit të tyre në referendumin që është mbajtur për pavarësi të këtij rajoni nga Spanja.

Këto dënime kanë nxitur protesta në gjithë rajonin, derisa me raste protestuesit edhe janë përleshur me policinë.

Liderët pro-pavarësisë patën vazhduar të dërgojnë përpara referendumin e vitit 2017, ndonëse ishte shpallur i paligjshëm nga Gjykata spanjolle.

Ata patën shpallur një deklaratë, përmes së cilës ndanin këtë rajon nga Spanja.

Madridi atëbotë ishte përgjigjur duke marrë kontrollin e administratës së Katalonjës dhe ka nisur proces gjyqësor ndaj liderëve të këtij rajoni.

Rrugët kryesore janë bllokuar të premten në Katalonjë për shkak të protestave, si dhe linjat tjera të transportit kanë njoftuar se do të funksionojnë me orare të kufizuara.

Aeroporti El Prat në Barcelonë është detyruar të anulojë 150 fluturime këtë javë, kanë thënë zyrtarët.

Vetëm të premten, kompania spanjolle, Vueling ka thënë se ka anuluar 36 fluturime për shkak të grevave.

Këto marshe janë duke ndodhur në një kohë të rëndësishme për kryeministrin në detyrë Pedro Sanchez, teksa ai përgatit shtetin për zgjedhje më 10 nëntor.

Opozita e krahut të djathtë ka bërë thirrje për shtypje më të fuqishme të protestave pro-pavarësisë.

Udhëheqësi i Katalonjës, Quim Torra, ka thënë se ky rajon duhet të realizojë një tjetër referendum për ndarje nga Spanja brenda dy vjetëve.

Teksa ka folur para parlamentit të Katalonjës, Torra ka kritikuar përleshjet, duke thënë se lëvizja duhet të jetë paqësore.

Megjithatë, ai ka thënë se burgosja e separatistëve nuk duhet t’i pengojë ata në përgatitjet për një proces tjetër të referendumit.

“Ne do të kthehemi në kutitë e votimit për vetëvendosje”, ka thënë ai.

Në vetëm dy ditë është thënë se nga zjarret e nisura në protesta, qyteti i Barcelonës është dëmtuar në vlerë të mbi një milion eurove.

Disa banorë kanë dënuar këto akte të dhunës.

Policia rajonale ka thënë se ka arrestuar 16 persona në këtë rajon, derisa zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se u kanë ofruar ndihmë 42 personave.

Burimi:Radio evropa e lire

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...