Live

Zjarrfikësit të pakënaqur: Nuk kemi as maska personale, Qeveria Kurti nuk po na i zgjidh problemet

15:51 / 25 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Vlera e koeficientit është caktuar nga Qeveria të jetë 105 euro për vitin 2023.

Me këtë vlerë nuk janë ndarë të kënaqur Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës.

Kryesindikalisti, Muharrem Beka ka thënë se Qeveria kualifikimin më të ulët e ka ndarë për zjarrfikësit.

Ai thotë se krahas rrezikshmërisë në punë pagat janë shumë të ulëta.

“Në raport me shërbime tjera emergjente jemi të kualifikuar më ulët në raport me koeficientin e ndarë nga Qeveria. Ne kemi kërkuar që të jem ashtu siç është policia. Zjarrfikësit e kanë një profesion më specifik që rrezikojnë shëndetin dhe jetën. Pagat tash janë më të ulëta në nivel vendi mirëpo me koeficientin e ri tash është rritë pak, por me këto paga nuk është e planifikuar çështja e rrezikshmërisë tek zjarrfikësit”, u shpreh Beka për Front Online.

Statusi i padefinuar, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes pushtetit lokal dhe qendror, mungesa e kushteve të punës, janë disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen çdo ditë zjarrfikësit.

Kështu thotë për Front Online kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka.

“Pakënaqësia më e madhe tek zjarrfikësit është mos definimi i statusit juridik as nuk jemi me shërbyesit civil as me punonjësit publik, jemi të padefinuar. E dyta është çështja e mos definimit të kompetencave mes komunave dhe AME-së d.m.th. ende nuk e dimë kë e kemi punëdhënës, nuk e dimë kush është përgjegjës për mbikëqyrje ose kujdesje institucionale dhe mungesa e kushteve të punës”, deklaroi Beka.

Beka ka numëruar edhe mungesën e disa pajisjeve që ju mungojnë zjarrfikësve.

“Pajisjet personale mungojnë shumicën e komunave duke filluar nga aparati i frymëmarrjes, asnjë zjarrfikës nuk e ka maskën personale, nuk kemi as radiolidhje që është shumë e rëndësishme e shumë pajisje të tjera”, theksoi Beka.

Pakënaqësi zjarrfikësit kanë edhe tek Qeveria Kurti.

Kryesindikalisti Beka thotë se gjatë dy viteve qeverisje të LVV-së, asnjë problem nuk është zgjidhur.

“Takime kemi pasur me Qeverinë Kurti, tentime për zgjidhe të problemeve ka pasur po deri tash nuk ka pasur asnjë zgjidhje të problemeve. Ende i kemi të pakompenzuara orët jashtë orarit të festave orët e vitit 2022 jemi në bisedime, në mars na kanë thënë që do t’i paguajmë”, tha ai për Front Online.

Ndryshe, sipas vlerës së caktuar të koeficientit, Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve që ka koeficient 8 dhe vlera e pagës së tij do të jetë 840 euro, zëvendësi i tij me koeficient 7.2 do të ketë pagë 756 euro.

Komandanti i Batalionit me koeficient 6.5 do të ketë vlerën e pagës 682 euro, zëvendësi i tij me koeficient 6.3 do të ketë pagën 661 euro e 50 cent.

Udhëheqësi i grupit te zjarrfikësit ka koeficientin 5.2 dhe vlera e pagës do të jetë 546 euro./FrontOnline

Shpërndaje në

U Kopjua