Live

ZKA e Kosovës anëtarësohet në në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit

11:58 / 05 Tetor 2019

Nga Kosova Live

“Kjo është një arritje kulminante, meqenëse anëtarësimi në INTOSAI na bënë partnerë të barabartë dhe vendimmarrës në rrafshin ndërkombëtar” tha Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani në konferencën për media të mbajtur sot.

Bordi drejtues i INTOSAI-it në gusht të këtij viti ka miratuar kërkesën e ZKA-së së Kosovës që të jetë pjesë e kësaj organizate, shkruan lajmi.net.

INTOSAI është organizatë e pavarur, profesionale dhe jo politike dhe vepron si organizatë ombrellë për komunitetin e auditimit të sektorit publik dhe ka status të posaçëm konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social të OKB-së.

Lexoni komunikatën e plotë:

Në gusht 2019, Bordi drejtues i INTOSAI-it ka miratuar me shumicë votash anëtarësimin me të drejta të plota të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë, në mënyrë efektive nga data 1 janar 2020.

INTOSAI është një organizatë e pavarur, profesionale dhe jopolitike e themeluar si një institucion i përhershëm. Vepron si një organizatë ombrellë për komunitetin e auditimit të sektorit publik dhe ka status të posaçëm konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social (ECOSOC) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme me 8 maj 2018. Pas një procesi të verifikimit dhe angazhimit intensiv është rikonfirmuar nga instancat relevante ndërkombëtare se ZKA-ja i plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe administrative të përcaktuara me Statutin e INTOSAI-t, për të qenë anëtarë me të drejta të plota në këtë institucion.

Ky rezultat është kurorëzim i punës së jashtëzakonshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit, institucioneve të Kosovës dhe përkrahjes së partnerëve të ZKA-së.

Pjesëmarrja e Zyrës Kombëtare të Auditimit në strukturat e INTOSAI-t promovon përveç tjerash qeverisjen e mirë, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe ngritjen e kompetencës profesionale.

Zyra Kombëtare e Auditimit, është institucion i pavarur, që ushtron mandatin e saj të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj, në pajtueshmëri me standardet profesionale të auditimit dhe kodit të brendshëm të etikës e sjelljes profesionale.

Në baza vjetore kryen auditimin e detyrueshëm të rregullsisë për Buxhetin e Qeverisë së Kosovës të të gjitha organizatave buxhetore, të cilat pranojnë buxhet përmes ligjit vjetor të buxhetit, si dhe të Ndërmarrjeve publike. Po ashtu, ZKA-ja bënë auditime të performancës, si dhe ka të drejtën që në çfarëdo kohe të kryejë auditime tjera, të ndryshme nga auditimet e rregullsisë për fondet e dhëna nga buxheti për një institucion apo organizatë, si; fondet publike për partneritet publiko-privat; huatë dhe kreditë e detyrimet e garantuara nga entitetet e sektorit publik.

Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit promovojnë drejtpërdrejt llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’iu kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore. 

Shpërndaje në

U Kopjua