Live

Zvicra bëhet donatori i parë për mbështetjen e shërbimit shëndetësor në Shqipëri

15:44 / 19 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, priti sot ambasadoren e re të Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber.

Kryetarja Nikolla i uroi Ambasadores Huber suksese në misionin në Shqipëri dhe vlerësoi se, “në 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Zvicrës, të dy vendet kanë ndërtuar një bashkëpunim solid dhe të shkëlqyer”.

“Zvicra është donatori i dytë bilateral dhe i pari donator në mbështetjen e shërbimit shëndetësor në vendin tonë. Zvicra po mbështet Shqipërinë në fusha të rëndësishme si demokratizimi dhe mirëqeverisja, qeverisja vendore, sistemi shëndetësor, arsimi profesional, infrastruktura etj. Ky bashkëpunim po mbështetet tashmë edhe nga Strategjia e Bashkëpunimit 2022-2025. Bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar të Zvicrës u rikonfirmua edhe gjatë takimit me Kryetaren e Këshillit, Irene Kalin, në Bern në muajin qershor të këtij viti. Gjithashtu projekti PACEP, i mbështetur nga Qeveria e Zvicrës, po kontribuon në rritjen e cilësisë së ligj-bërjes së mbështetur në analiza e kërkime shkencore dhe modernizimin e shërbimeve parlamentare. Rezultat i këtij bashkëpunimi është edhe ngritja në Kuvendin e Shqipërisë e Institutit Parlamentar. Diaspora shqiptare në Zvicër po shërben si një urë miqësie e bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha Nikolla.

Ambasadorja Ruth Huber falënderoi Kryetaren Nikolla për vlerësimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Zvicrës dhe nënvizoi se kontributi i Zvicrës për zhvillimin, shërbimet publike, demokratizimin e mirëqeverisjen dhe rritjen e eficiencës dhe modernizimin e shërbimeve të Kuvendit të Shqipërisë do të vijojë dhe se ambasada do të kontribuojë në kontaktet dhe bashkëpunimin mes parlamenteve e institucioneve dhe qytetarëve të të dy vendeve.

Shpërndaje në

U Kopjua