Qeveria e zvicerane ka marr vendim që prej 1 shtatorit shtetasit e Kosovës që kanë punuar në Zvicër dhe janë kthyer për të jetuar në Kosovë, t’i marrin pensionet e tyre, raporton “Albinfo”.
Për vazhdimin e pagesës, pas 9 vitesh mungese të saj, pati vendosur Parlamenti i Zvicrës para dy muajsh. Ndërsa vendimi i tij për miratimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore të Zvicrës me Kosovën fillon zbatimin nga 1 shtatori 2019, bën të ditur Zyra Federale e Zvicrës për Sigurime Shoqërore (BSV) në një komunikatë të publikuar sot.
Marrëveshja, për nga përmbajtja është e ngjashme me ato të nënshrkruara nga Zvicra me të gjitha vendet tjera dhe mbështetet në standarde ndërkombëtare.
Kosova ka qenë shteti i vetëm trashëgimtar i ish Jugosllavisë me të cilin Zvicra deri tash nuk ka pasur marrëdhënie të zyrtarizuara me marrëveshje në lëmin e sigurimeve shoqërore.
Marrëveshja e mëparshme e lidhur me ish Jugosllavinë, ishte ndërprerë në raport me Kosovën në prill të vitit 2010, shkruan albinfo.ch. Si shkak për këtë ndërprerje ishin përmendur hetimet e dështuara kundër mashtruesve të supozuar. Ishin përmendur edhe kërcënime me vdekje për hetuesit.