Live

Zyrtari i Gjendjes Civile në Gjakovë dënohet me gjobë prej 2 mijë e 600 euro

17:14 / 06 Mars 2023

Nga Kosova Live

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykimi dënues, ndaj të akuzuarit Mehmet Leka, zyrtar administrativ në Zyrën e Gjendjes Civile në Molliq të Gjakovës, duke e dënuar me 2 mijë e 600 euro gjobë, për akuzën se regjistroi në mënyrë të kundërligjshme, personin Sokol Tolaj si banor të Republikës së Kosovës, duke i mundësuar që të pajiset me dokument zyrtar të Gjendjes Civile.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Leka, është shpallur të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sulltan Dobraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Leka i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili me pëlqimin e të akuzuarit, i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 2 mijë e 600 euro, e cila duhet të paguhet në afat prej 3 muajve.

Po ashtu, të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Trupi gjykues ka njoftuar se është bërë anulimi i regjistrimit të personit Sokol Tolaj, në librat e regjistrimit civil.

I akuzuari, gjithashtu është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 50 euro dhe në emër të fondit për kompensim të viktimave të krimit, shumën prej 50 euro.

Ndaj aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.

Paraprakisht, i akuzuari Leka, në seancën e 1 marsit 2023, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Mehmet Leka, më 12 tetor 2018, në cilësinë e zyrtarit administrativ në Zyrën e Gjendjes Civile në Molliq të Gjakovës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar nuk i ka përmbushur dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij të parapara me ligj.

Sipas aktakuzës, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm, në kundërshtim me Ligjin 04/L-215, neni 29 dhe Udhëzimin Administrativ 05/2017, ka futur në sistem personin Sokol Tola nga fshati Botushë i Gjakovës, ku ka bërë gjenerimin e numrit personal, me çka i ka mundësuar në këtë mënyrë pajisjen me dokumente nga zyra e Gjendjes Civile.

Tutje sipas aktakuzës, pas kërkesës nga Ambasada Britanike në Tiranë drejtuar Komunës së Gjakovës për verifikimin e të dhënave për Sokolin, ka rezultuar se personi i tillë nuk është banor, konkretisht nuk është shtetas i Republikës së Kosovës, e as prindërit e tij A.T dhe N.T nuk kanë qenë të regjistruar.

Me këto veprime, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...