Live

Zyrtarizohet bashkëpunimi i Ministrisë së Ekonomisë me Shoqatën e Inxhinierëve të Zvicrës

21:11 / 09 Mars 2023

Nga Kosova Live

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Shoqatën e Inxhinierëve të Zvicrës (AES) në fushat e energjisë së ripërtërishme, trajnimit e aftësimit profesional dual, minierave, riciklimit të mbeturinave, infrastrukturës energjetike, si dhe transportit hekurudhor.

Ky bashkëpunim, siç njofton ME-ja, ka filluar në fillim të vitit gjatë vizitës së përbashkët të Ministres Rizvanolli me Kryeministrin Albin Kurti në Zvicër, ku janë takuar edhe me Shoqatën e Inxhinierëve.

Në takimin e sotëm të punës me përfaqësuesit e Shoqatës të Inxhinierëve të Zvicrës (AES) kanë marrë pjesë edhe Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, përfaqësues të Kabinetit të Ministres dhe ME-së, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, përfaqësues të kabineteve të ministrave Nagavci e Aliu, si dhe përfaqësues të menaxhmentit të lartë të Trepçës, Infrakosit, Trainkosit e Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.

Ndërkaq, Shoqata e Inxhinierëve të Zvicrës gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë do t’i vizitojë të tri këto ndërmarrje për të parë nga afër punën e sfidat e tyre.

“Përfaqësuesit e Shoqatës së Inxhinierëve kanë falënderuar Ministren që për herë të parë u është dhënë mundësia të japin kontributin e tyre profesional në Kosovë. Ministrja Rizvanolli i ka falënderuar për dedikimin e gatishmërinë e tyre për të shtyrë para zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe ka shtuar që është plotësisht e bindur që rezultatet e prekshme nga ky bashkëpunim do t’i shohim shumë shpejt”, thuhet në njoftimin për media të ME-së.

Shpërndaje në

U Kopjua