Live

Zyrtarja e OKB-së thotë se ka dëshmi të krimeve kundër fëmijëve në Ukrainë

22:45 / 23 Janar 2023

Nga Kosova Live

Një nga anëtarët e pavarur të Komisionit Hetimor të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën, i krijuar së fundmi, thotë se hetuesit kanë gjetur prova të krimeve të luftës, përfshirë abuzimin seksual të fëmijëve, gjatë pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska, “ku shumica janë të kryer nga trupat ruse”.

Duke folur në një intervistë me Shërbimin Ballkanik të Radios Evropa e Lirë më 23 janar, Jasminka Dzhumur, një nga tre anëtarët e pavarur të komisionit, tha se kishte një gamë “shumë të gjerë” krimesh të zbuluara në Ukrainë.

“Kur flasim për fëmijët, ata u plagosën ose u vranë me armë zjarri. Ata u abuzuan seksualisht. Kemi regjistruar shkelje të të drejtave të fëmijëve të vendosur në shtëpitë e fëmijëve të neglizhuar,” tha Dzumhur, duke shtuar se komisioni ka marrë gjithashtu informacione për fëmijët që janë zhvendosur nga Ukraina në Rusi edhe pse “në shumë raste” prindërit e tyre biologjikë ende banojnë në Ukrainë.

Bashkimi Evropian dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Rusinë për shkelje të të drejtave të njeriut në territorin e Ukrainës, duke përfshirë torturën, abuzimin, përdhunimin dhe forma të tjera të dhunës, si dhe sulme ndaj infrastrukturës civile dhe objekteve të sektorit të energjisë që kur Kremlini filloi pushtimin e tij të paprovokuar në shkurtin e vitit të kaluar.

Moska i ka mohuar akuzat, pavarësisht provave në rritje, dhe u ka bërë thirrje organeve ndërkombëtare të hetojnë krimet që ajo thotë se janë kryer kundër të burgosurve rusë të luftës në Ukrainë.

Kievi ka thënë se do të ndëshkojë abuzimet e kryera nga forcat e veta, por beson se numri i incidenteve të tilla është i vogël.

Dzumhur tha se komisioni ka gjetur prova se “krime lufte, shkelje të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare janë kryer në territorin e Ukrainës, por se forcat e armatosura ruse ishin përgjegjëse për shumicën dërrmuese të shkeljeve të identifikuara”.

OKB-ja ngriti komisionin e përbërë nga tre ekspertë në mars të vitit 2022.

Ai drejtohet nga norvegjezi Erik Mose, ish-presidenti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë të Norvegjisë. Anëtari i tretë është kolumbiani Paolo de Greiff, një ekspert për çështjet e drejtësisë ndërkombëtare.

Dzumhur tha se komisioni do të paraqesë raportin e tij në mars, kur të përfundojë mandati i tij dhe se i gjithë informacioni i paraqitur në të do të jetë “rezultat i drejtpërdrejtë i punës së komisionit në terren, me konfirmime nga burime të tjera”.

Megjithatë, ajo vuri në dukje se komisioni, i cili fillimisht u fokusua në katër rajone të Ukrainës, nuk ka qenë në gjendje të hyjë në disa pjesë të vendit.

“Ne shpesh nuk kemi ose kemi qasje të kufizuar në territore të caktuara, veçanërisht kur flasim për Donjeck dhe Luhansk. Komisioni nuk ka pasur mundësi të vizitojë dhe të bisedojë me njerëzit që jetojnë atje”.

Ajo tha gjithashtu se komisioni ka mbledhur informacione edhe nga vende të tjera./REL/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...