Krahas aderimeve të shumta që ndodhën në prag të zgjedhjeve të parakohshme, subjektet politike në vend kanë futur emra të personaliteteve të ndryshme në listat e tyre për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Analistë të politikës vlerësojnë se është nevoja për ndryshim që i ka shtyrë partitë politike që të pasurojnë listat e tyre për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor, me emra të rinj.
Për disa, kandidatët e rinj përbëjnë rrezik për subjektet politike, ndërsa për të tjerë kjo është një mundësi e mirë për të tërhequr votues të rinj.
Analistja Donika Emini, thotë se futja e emrave të rinj në listat zgjedhore të subjekteve politike është një hap pozitiv, pasi sipas saj, legjislatura e re do të ketë një përbërje tjetër nga që ka qenë më parë.
Megjithatë, ajo për KosovaPress thotë se ekziston një rrezik, pasi këta të fundit mund të mos sjellin ndryshim.
Analisti politik Rrahman Paçarizi, është pesimist sa i përket emrave të rinj, pasi konsideron se ka prej tyre që nuk e kanë rrjetin e tyre të grumbullimit të votave.
Megjithatë, një dukuri e tillë, sipas tij, flet për tendencën e partive për t’u reformuar.
Kurse politologu Ramush Tahiri është më optimist sa i përket kandidatëve të rinj për deputetë, e sidomos kur ata janë më të rinj edhe në moshë.
Ai thotë për KosovaPress se partitë politike duhet të fokusohen edhe në nxitjen e të rinjve për të dal në votim.
Sipas tij, do të ishte mirë që parlamenti të ishte më i riu në rajon, për mesataren e moshës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 6 tetor, ndërsa fushata zgjedhore, ka filluar më 25 shtator dhe do të zgjasë 10 ditë.