Live

Dita e Çlirimit, Osmani: Qëndruam të palëkundur se liria ia vlen çdo sakrificë

10:51 / 12 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka thënë se forcat e NATO-s kur shkelën në Kosovë, nuk ishin vetëm ushtarë, por edhe shpëtimtar.

Në fjalim ajo ka thënë se forcat e NATO-s sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk e kishte harruar Kosovën dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit shqiptar.

“Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte një dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë”, ka thënë presidentja Osmani.

“Liria është më shumë se një fjalë, është vetë thelbi i qenies sonë. Është ajri që thithim, është ëndrra që guxuam ta ëndërrojmë, është  e ardhmja që aspiruam. Çlirimi i Kosovës më 12 qershor 1999 nuk ishte thjesht një fitore ushtarake, por ishte triumfi i shpirtit njerëzor mbi tiraninë, triumf i të mirës ndaj të keqes dhe i drejtësisë mbi shtypjen”, ka thënë presidentja në fjalim.

Ajo ka thënë se kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën në tokën e Kosovës së  përgjakur, të dërmuar, e të shkatërruar, lotët, britmat, lulet dhe përqafimet që i pritën ushtarët e NATO-s, krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë.

“Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve, uniformat me  flamuj të shumtë, u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke e larguar njëherë e përgjithmonë makinerinë gjenocidale të Millosheviqit, të turpëruar dhe të kapitulluar”, ka thënë presidentja Osmani.

“NATO-ja ishte një dritë shprese – një shans për drejtësi, një shans për liri”.

Gjatë fjalimit, presidentja ka thënë se thirrjet e popullit tonë, persekutimi i pamëshirshëm dhe jetët e panumërta të humbura nga masakrat e tmerrshme, dëbimi me dhunë dhe spastrimi etnik ishin thirrje për drejtësi që nuk mund të shpërfilleshin më.

“Muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë, por edhe të pavarur e demokratike. Atë ditë afro 38 mijë ushtarë nga 36 shtete, komunikuan me gjuhën universale, me gjuhën e lirisë”, ka thënë presidentja.

“Atë ditë, siç thoshte filozofi dhe shkrimtari francez Andres Glucksman “Evropa lindi në një Prishtinë të lirë”. Sot mund të themi,  Evropa lindi në një Kosovë të lirë”.

“Ndaj në këtë ditë, do ta kujtojmë përherë rezistencën këmbëngulëse të  presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova për liri, demokraci dhe Kosovën e pavarur”.

“Do ta kujtojmë heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, të cilët u bën gurthemeli i lirisë sonë”.

“Do të jetojmë gjithnjë edhe me kujtimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së,  mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”.

“Sot qëndrojmë së bashku në tokën tonë,  të lirë, duke jetuar me historinë tonë të lavdishme, teksa kujtimet e dhimbshme të luftës dhe por edhe ndjenja e triumfit të lirisë janë në zemrën e secilit qytetar të Kosovës”.

“Prania e paqeruajtësve ishte një dëshmi e përkushtimit të botës ndaj drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Secili nga ta rrezikoi jetën, duke lënë pas familjet dhe shtëpitë, për të qëndruar me ne në luftën tonë kundër shfarosjes”.

“Në Kosovë, kërkimi për liri ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshëm. Jemi përballur me shumë vështirësi e vuajtje, por gjatë gjithë kësaj kohe, ne kemi qëndruar të palëkundur në besimin se liria ia vlen me çdo sakrificë. Mbështetja e aleatëve ishte një pohim i fuqishëm i këtij besimi. Ajo na kujtoi neve dhe botës se liria është një e drejtë që edhe pasi të jetë arritur, duhet mbrojtur dhe ruajtur”.

“Kjo na kujton se aleancat dhe partneriteti me shtetet janë po aq determinuese për ta garantuar e mirëmbajtur lirinë e fituar, duke mos e marrë asnjëherë si të mirëqenë”.

“Sot, teksa nderojmë ushtarët e NATO-s që kontribuuan për lirinë tonë, nderojmë mbi të gjitha stoicizmin e popullit tonë dhe ushtrinë tonë clirimtare, me bindjen e plotë  se liria nuk është dhuratë, por përgjegjësi. Është një trashëgimi që duhet ta mbrojmë dhe një premtim që duhet ta përmbushim”.

“NATO më 1999 na dha mbështetjen përfundimtare për lirinë tonë, ndaj sot ne synojmë anëtarësimin në këtë organizatë ushtarake me ushtrinë tonë e cila me profesionalizimin e saj është e gatshme të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob”.

“Në këtë përvjetor të 25 të çlirimit të Kosovës, ditë që e ëndërruan shqiptarët kudo që jetojnë dhe për të cilën kontribuuan e luftuan shqiptarët nga vise të ndryshme, dua ta përfundoj me një citat të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, me fjalët që ai i tha para pak muajsh kur i ndava medalje presidenciale. Citoj: “Vetë mbledhja jonë këtu në këtë sallë nga shqiptarë të të gjitha zonave e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf, asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin e të ardhmen e një populli’’.

“Zonja e zotërinj: Populli i Kosovës asnjëherë…asnjëherë dhe me asnjë çmim nuk do të heq dorë nga triumfi i lirisë”.

Shpërndaje në

U Kopjua