Live

Ish-oficeri gjerman i KFOR-it fillon dëshminë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

11:20 / 21 Maj 2024

Nga Kosova Live

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 63-të i Zyrës së Prokurorit të Specializua. Ai është Dietrich Klaus-Jensch, oficeri gjerman i KFOR-it.

Dhomat e Specializuara përmes një komunikate për media  paraprakisht kanë bërë të ditur se sot do të dëshmojë gjermani Dietrich Jensch, i cili kishte shërbyer si oficer i KFOR-it në rajonin e Prizrenit, për kohën që Specialja e konsideron si të rëndësishme.

Jensch do të jetë dëshmitari i 63-të i sjellë nga Prokuroria Speciale në Gjykatë.

“Dëshmitari i ri, i thirrur nga Prokuroria mëngjesin e sotëm, është Dietrich Jensch. Sipas përmbledhjes së paraqitur nga PSP-ja në gjykatë, ky dëshmitar ka shërbyer si oficer gjerman i KFOR-it në zonën e Prizrenit gjatë periudhës përkatëse. Ai është dëshmitari i 63-të i paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në gjykatë”, u bë e ditur nga ZPS.

Kujtojmë se në prill të vitit të kaluar ka nisur gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Shpërndaje në

U Kopjua