Live

KQZ-ja nis përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, ndan 1 milion euro për furnizim me kamera në vendvotime

13:22 / 23 Maj 2024

Nga Kosova Live

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka filluar përgatitjet e para për zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës. Në mbledhjen e së enjtes, KQZ ka marrë vendim për miratimin e specifikave për furnizim me kamera që do të përdoren në vendvotime për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

Shuma e përgjithshme e planifikuar për këtë aktivitet prokurimi sipas KQZ-së është 1 milion euro, transmeton Klankosova.tv.

Për herë të parë, KQZ përdori kamerat në vendvotime në procesin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, i cili u mbajt më 21 prill 2024. Këto kamera, KQZ i kishte huazuar nga KQZ-ja e Shqipërisë.

Anëtari nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, tha se vendosja e kamerave në vendvotime, sipas KQZ-së, ka për qëllim ruajtjen e integritet të procesit zgjedhor.

Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e VV, Sami Kurteshi ngriti për diskutim çështjen nëse mund të bëhet ky furnizim nëse zgjedhjet mbahen së shpejti

Sipas shpjegimeve që u dhanë në këtë mbledhje, kjo është një procedurë e rregullt prokurimi dhe do të ishte e pamundur që ky proces të përmbyllet deri në muajin korrik.

“Këto kamera nuk mundet me u kontraktuar për kaq një kohë të shpejt ajanë më të mira të Shqipërisë janë më të reja për këtë mund të garantoj”, tha Elshani.

Në rast të pamundësisë që KQZ të arrijë të sigurojë me kohë kamerat për vendvotime, anëtari tjetër i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi tha se sërish mund t’i drejtohen KQZ-së së Shqipërisë për huazimin e kamerave.

“Në këtë rast mendoj që mund të drejtohemi republikës së Shqipërisë, Komisionit Qendror atje që të në vë në dispozicion kamerat që i kanë e që i përdorin në proceset zgjedhore, nëse veç kjo paraqitët e nevojshme”.

Tema e zgjedhjeve të ardhshme u diskutua edhe gjatë shqyrtimit të agjendës për punëtorinë për mësimet e zëna për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut dhe përgatitjet për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Në pjesën tjetër të mbledhjes, KQZ mori vendim për regjistrimin e iniciativës politike Romani Inicyativa si parti politike, e cila tani do të jetë pjesë e regjistrit të partive politike në Republikën e Kosovës. Sipas këtij regjistri, numri i partive politike të regjistruara është 52.

Po në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për zhvillimin e takimeve të veçanta me Kryetarë të Komunave dhe me Kryesues të Kuvendeve Komunale për të diskutuar dhe bashkëpunuar lidhur me zbatimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. /eo

Shpërndaje në

U Kopjua