Live

Pensionet e ulëta, çmimet e larta: Qeveria Kurti i rriti pensionet nga 2.5 euro në vit

08:44 / 14 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Vetëm për 10 euro janë rritur pensionet përgjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2, përderisa artikuj themelorë janë shtrenjtuar mbi 30% nga viti 2021 e këndej.

Pensionet më të ulëta janë ato bazike, të cilat janë ngritur nga 90 në 100 €, brenda qeverisjes 4- vjeçare të kryeministrit Kurti, apo mesatarisht 2.5 € në vit, ndonëse Kurti në fushatën zgjedhore të vitit 2021 u premtonte pensionistëve pensione të dinjitetshme.

Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pensione bazike nga 100 € i marrin mbi 145 mijë pensionistë në vend.

Përkundër kërkesave të vazhdueshme nga Shoqata e Pensionistëve për rritje të pensioneve, nga ekzekutivi i vendit ende nuk kanë dhënë sinjal se do të realizohet një kërkesë e tillë.

Haxhiu: Çmimet janë rritur të gjitha, pensionet kanë mbetur të njejta

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Mirëqenie Sociale nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka deklaruar se çmimet e artikujve ushqimorë janë shtrenjtuar dukshëm, përderisa pensionet kanë mbetur të njëjta.

Sipas tij, Qeveria “Kurti” as vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pensionistët kontributpagues nuk e ka respektuar.

“Qeveria lëre që nuk ka bërë asnjë rritje të pensioneve, por as nuk ka respektuar vendimin e Kushtetueses për të drejtat e pensionisteve kontribut pagues. Të gjitha çmimet janë rritur ndërsa pensionet kanë mbetur të njëjta”, thotë Haxhiu.

Zemaj: Qeveria “Kurti” mashtruese, nuk përmirësoi jetesën e pensionistëve

Qeveria aktuale s’ka bërë asnjë strategji për përmirësimin e jetesës së pensionistëve, thotë anëtari i Komisionit për Mirëqenie Sociale, nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj.

Ai ka kritikuar pushteti ashpër, duke thënë se janë mashtrues e të padijshëm.

Sipas Zemajt, jeta e qytetarëve është rënduar e varfëruar.

“Qeveria s’ka bërë asgjë, shpërndarje të fondeve në formë lëmoshe pa asnjë strategji në përmirësimin e kostos së jetës së pensionisteve. Inflacioni, rritja e çmimeve pa kontroll vetëm sa e ka rënduar varfërinë. Mashtrues dhe të padijshëm”, theksoi Zemaj.

Dreshaj: Pensionistët të paguhen për djersen që kanë derdhur e jo nga 10 euro

Deputeti nga radhët e AAK-se, njëherit anëtar i Komisionit për Mirëqenie Sociale, Shemsedin Dreshaj ka folur për “Front Online” lidhur me sjelljen e Qeverisë karshi pensionistëve.

Dreshaj ka deklaruar se kjo kategori duhet të paguhen denjësisht.

”Unë jam për pensionet kontributdhënëse bazuar në përqindjet e kontributit. Nuk jam as për 10 euro as për 100 euro me u rritë, por sa kanë derdhë ndjerës”.

Deputeti Dreshaj thotë se pensionistët nuk e meritojnë rritjen në formë lëmoshe.

“Qeveria duhet me e zgjidhë çështjen e pensionistëve kontributdhënës dhe jo kontributdhënës. Bazuar në skemën e inflacionit dhe devalvimit të euros, duhet të kemi rritje progresive të tyre e jo rritje në formë të lëmoshës”.

Kryetari i Pensionistëve: Qeveria “Kurti” do t’i rritë pensionet afër zgjedhjeve

Me qasjen e Qeverisë “Kurti” nuk janë aspak të kënaqur pensionistët, thotë kryetari i Pensionistëve, Nijazi Gashi.

Sipas tij, rritja e pensioneve do të bëhet afër zgjedhjeve.

“Kjo qeveri do t’i rrisë pensionet pak para zgjedhjeve. Pensionistët nuk janë të kënaqur me sjellën e qeverisë”.

Gashi është ankuar se me çmimet aktuale pensionit nuk po mjaftojnë.

“Çmimet kanë shkuar në qiell këtë vit. Barnat janë shtrenjtuar 100 %. Me këto pensione nuk po mund t’ía dalin”, deklaron Gashi.

Ai ka shtuar se në lidhje me kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër dhe se Qeveria nuk ju është përgjigjur në as një rast për këto kërkesa.

“Ne kemi hasur në vesh të shurdhër dhe qeveria nuk na është përgjigjur në asnjë rast, të gjitha kërkesat që ja kemi bërë nuk na janë përgjigjur”.

Pozhari: Kjo Qeveri dëshmoi se nuk i ka prioritet pensionistët

Në 2022 analisti Xhevdet Pozhari ka nisur fushatën me moton: “Dinjitet për pensionistët”, ku kishte paraqitur dy kërkesa: Njëra të hiqet obligimi për paraqitjen çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë e tjetra për disa shtesa për këtë kategori.

Që nga nisja e kësaj fushate, Pozhari thotë se Qeveria ka pasur veprime të pakta.

Pozhari deklaroi se ekzekutivi e ka dëshmuar se pensionistet nuk i ka prioritet.

“Ka pasur veprime shumë të pakta nga ana e Qeverisë. Sa i përket rritjes së pensioneve, kjo Qeveri ka dëshmuar se nuk e ka prioritet, ato nuk mund të quhen pensione, sepse ato 100 euro me këtë inflacion, nuk mjaftojnë në këtë kohë, në këtë krizë”.

Ai ka kërkuar të rriten pensionet, pasi sipas tij, Kosova i ka më të ulëta në rajon.

“Kjo Qeveri nuk ka përmbushur asnjë premtim për këtë kategori, rreth kësaj çështje. Kosova i ka pensionet me të ulëta në rajon, Qeveria duhet me i rritë pensionet”, shprehet Pozhari.

Pension kontribut pagues i moshës – është pensioni i rregullt mujor për qytetarët e punësuar në Republikës e Kosovës, të cilët i kanë paguar kontributet, në ish-Fondin Pensional të Kosovës para datës 01.01.1999.

Shuma e pensionit kontribut pagues të moshës nga muaji janar 2016 ka pësuar ndryshime ku pensionet paguhen sipas kategorizimeve në bazë të nivelit të shkollimit si në vijim:

Kategoria e parë-pensionist i pa arsimuar ose me arsim fillor – shuma e pensionit është 182 euro;

Kategoria e dytë – pensionist me arsim të mesëm- shuma e pensionit është 198 euro;

Kategoria e tretë –pensionist me arsim të lartë – shuma e pensionit është 214 euro;

Kategoria e katër –pensionist me arsim universitar- shuma e pensionit është 265 euro.

Shpërndaje në

U Kopjua