Live

Projektligji për KPM-në që po kritikohet nga organizata vendore e ndërkombëtare të gazetarëve, sot në duar të deputetëve – opozita paralajmëroi se do ta dërgojë në Kushtetuese

08:29 / 27 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Projektligj për KPM-në në rend të ditës për t’u votuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, në seancën e sotme. Ai duhet të votohet edhe në lexim të dytë në Kuvend, para se të bëhet ligj.

Projektligji, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro po konsiderohet i dëmshëm, pasi rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Të mërkurën, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ngriti shqetësime për Projektligjin mbi Komisionin e Pavarur të Mediave, duke deklaruar se nuk reflekton shumicën e rekomandimeve nga Opinioni Ligjor i Këshillit të Evropës.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se është për keqardhje që nuk janë marrë parasysh rekomandimet e saj për projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

“Gjithashtu, versioni aktual i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i Komisionit të Pavarur për Media, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve. Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës”, u tha në reagimin e BE-së.

Shqetësim për këtë projektligj shprehu edhe komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty. Ai  në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, ka deklaruar se projektligji për Komisionin e Pavarur për Media rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

Ai ka thënë se pavarësisht disa ndryshimeve, projektligji i propozuar i KPM-së ende nuk përfshin disa rekomandime kyçe nga Këshilli i Evropës në opinionin e vet ligjor.

“Nëse miratohet, ligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias për shkak të qëllimit të tij të paqartë, përkufizime të paqarta, sanksione të paparashikueshme dhe dispozita problematike për dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme”, ka thënë O’Flaherty për gazetën online Reporteri.net.

Me qëllim që të përmirësohet në aspektin e të drejtave të njeriut, sipas tij, projektligji duhet të kalojë nëpërmjet procesit të konsultimit të gjerë me shoqërinë civile, ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare.

Gjatë ditës së sotme është paralajmëruar një konferencë për media e Kryetarit të Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, dhe juristes së medias, Flutura Kusari.

Në muajin maj, AGK-ja i kishte kërkuar Kuvendit që ta përmirësojë projektligjin për KPM-në pas reagimit nga Këshilli i Evropës.

“Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në njoftimin e AGK-së të publikuar më 27 maj.

Në anën tjetër, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar  do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se nëse ky projektligj nuk ndryshon, atëherë do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky projektligj ka për qëllim kontrollin e mediave të pavarura.

Shpërndaje në

U Kopjua