Live

Rohde: Radoiçiqi duhet të japë llogari, nëse s’ndodh kjo kemi probleme në marrëdhënien me Serbinë

08:00 / 05 Korrik 2024

Nga Kosova Live

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se lideri i grupit terrorist në Banjskë, Millan Radoiçiq, duhet të japë llogari.

Rohde foli edhe për mundësinë e ekstradimit të Radoiçiqit në Kosovë, duke thënë se një gjë e tillë “është shumë joreale”, teksa e paralajmëroi Serbinë se mund të kenë probleme me Gjermaninë nëse Radoiçiqi s’jep llogari.

“Lideri i vetë-deklaruar i këtij grupi, Radoiçiq, ende është në arrati. Ne kemi thënë, e kemi përsëritur, që ai duhet të japë llogari. Ai është i caktuar në shumë vende, ku mbahet përgjegjës. Qartazi është shumë jo-real ekstradimi i tij, por qeveria ime e ka bërë të qartë, pasi ai është në Serbi, ai duhet të japë llogari aty, dhe derisa kjo nuk bëhet, kemi problem në marrëdhënien me Serbinë. Por, Serbisë i mbetet ta bëjë këtë, dhe pritjet tona janë të qarta”, ka thënë Rohde në Tëvë 1.

Ambasadori gjerman ka përmendur shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe një kontingjent nga Gjermania pas këtij sulmi si tregues i KFOR-it për të ruajtur sigurinë.

Ai ka thënë se me gjithë këtë forcë të NATO-s në Kosovë e nuk e imagjinon një sulm nga Serbia.

“Nuk jam ekspert ushtarak, por e di që 28 vende nga vendet NATO dhe mike, janë pjesë e KFOR-it, dhe është e paimagjinueshme për mua që mund të ketë ndonjë sulm në Kosovë me këtë prezencë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Kujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest.

Shpërndaje në

U Kopjua