Live

Rubin: Qëllimi afatgjatë i normalizimit Kosovë-Serbi nënkupton njohjen

09:55 / 21 Qershor 2024

Nga Kosova Live

I dërguari i Posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit të Shtetit, James Rubin, ka thënë se qëndrimi amerikan është që qëllimi afatgjatë i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton njohje.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rubin ka folur për synimin përfundimtar të procesit të dialogut, teksa ka refuzuar që të komentojë deklaratat e ambasadorëve amerikanë në Kosovë e Serbi, Jeffrey Hovenier dhe Christopher Hill, të cilët kanë dhënë qëndrime të ndryshme sa i përket njohjes.

Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin problemet që kanë dhe të normalizojnë marrëdhëniet.

Nuk do të dëshiroja të futesha në mes të dy ambasadorëve, por mund të them se qëndrimi amerikan është që qëllimi afatgjatë i normalizimit nënkupton njohje. Është vështirë të imagjinosh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje dhe fakti që disa shtete të tjera që janë pjesë e BE-së, nuk e njohin Kosovën, nuk ka lidhje me qëndrimin amerikan. Kosova dhe Serbia kanë probleme. Probleme duhet të zgjidhen. Ato duhet të normalizojnë marrëdhëniet. Ky është kuptimi i standardeve të BE-së. Si amerikanë ne nuk i themi Bashkimit Evropian se çfarë duhet të bëjë. Prandaj pikëpamjet e ambasadorëve amerikanë për atë mendon BE-ja nuk janë të rëndësishme. Me rëndësi është cili është qëndrimi ynë dhe qëndrimi ynë është të propozojmë që normalizimi të përfshijë njohjen e ndërsjellë të dy vendeve”, ka thënë ai.

Po ashtu, zyrtari i lartë amerikan, i cili luajti një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovës, thotë se aktualisht ka shqetësime për mënyrën se si qeveria e Kosovës po luan rolin e saj në aspektin diplomatik, duke mos përmbushur kërkesën për krijimin e Asociacionit.

Qartazi ka shqetësime për mënyrën se si qeveria aktuale ka vepruar në aspektin diplomatik duke mos përmbushur (kërkesën) për krijimin e asociacionit. Por, thënë troç, jemi miq, jemi miq të mirë. Kjo është dëshmuar kur kam qënë në Kosovë, kur sekretarët e shtetit kanë vizituar Kosovën, kur Presidenti Clinton shkoi atje… populli i Kosovës dhe populli i Shteteve të Bashkuara nuk ka si të jenë më të afërt dhe nuk mendoj se ka dilemë rreth kësaj çështjeje. Por, po, në aspektin diplomatik, marrëdhëniet nuk janë aq të mira aktualisht, por kjo ndodh për shkak se çështja Kosovë-Serbi vazhdon të jetë barrë për banorët e rajonit”, u shpreh ai.

Shpërndaje në

U Kopjua