Live

2023, Kosova pa sigurime shëndetësore, kritikët pesimistë, kjo skemë mund të zbatohet tek pas 5 vjetësh

15:32 / 24 Janar 2023

Nga Kosova Live

nga Kosova Live

Kosova ende nuk ka sistem të sigurimeve shëndetësore, një prej shqetësimeve ky që sistematikisht artikulohet nga profesionistët shëndetësorë e po ashtu edhe nga thuajse të gjitha legjislaturat e pasluftës.

Po t’a kishte Kosova fondin aktiv për sigurime shëndetësore, sektori publik i shëndetësisë do të shënonte më shumë progres e përkujdesje gjithsesi edhe ndaj pacientëve, kanë thënë kështu politikanët, mjekët kritikët specialistë të shëndetësisë, sindikatat e kështu me radhë.

Por Kosova ndodhet në vitin 2023 dhe debatet retorike, kryesisht politike, mbi nevojën që vendi të ketë sigurime shëndetësore, vazhdon gati t’a turturojë qytetarin ordiner.   

Qeveria 2 e kryeministrit Kurti, ka formuar fondin për sigurime shëndetësore por e vërteta është se ky fond ende nuk është funksional.

E skema e sigurimeve shëndetësore ka mbetur njëra ndër sfidat më të mëdha në sektorin e shëndetësisë. Nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë janë mjaft pesimistë sepse sipas tyre në versionin më të mirë sigurimet shëndetësore do të mund të zbatohet tek pas pesë vjetësh e mbase edhe më gjatë.

“Faji kryesor është tek qeveritë, deri më tani ato nuk kanë qenë të gatshme për të implementuar skemën e sigurimeve shëndetësore. Aty fillon gjithçka, nuk mundet vetëm ministria e Shëndetësisë me e zgjidh problemin për shkak se sigurimet shëndetësore janë në shëndetësi, ekonomi, mirëqenie e në shumëçka. Prandaj, duhet një organ më i lartë se ministria e Shëndetësisë, edhe bashkëpunimi i gjithë akterëve për të implementuar skemën e sigurimeve shëndetësore. Sigurimet shëndetësore pa një sistem ndërmjet informimit shëndetësor nuk mund të jenë efikase, fillimisht edhe sistemin e informimit shëndetsore nuk e kemi. Prandaj e them në versionin më të mirë mund të filloj në pesë vitet e ardhshme”, tha për kosovalive Besim Kodra, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve.

Të njëjtin mendim ka edhe anëtari i Komisonit për Shëndetësi nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj. Ai pohoi se Qeveria, shëndetësinë nuk e ka prioritet dhe se premtimet i ka rrush.

“Kjo qeveri si duket shëndetësinë nuk e ka prioritet, pasi që gati tre muaj ditë ishim pa ministër të Shëndetesisë. Pastaj problemet e shumta që janë duke u paraiqitë në aspektin menaxherial, janë evidente. Kështu që definitivisht lënë shumëçka për të dëshiruar, si në aspektin e punës, e po ashtu edhe në aspektin e transparencës për media dhe me ne deputetët. Realisht ne nuk kemi informatë se në çfarë faze është ligji për sigurimet shëndetësore. Premtimet janë rrush, kemi plot premtime por ne nuk kemi farë ekzekutime, ku është problemi”, pyet deputeti Dreshaj.

Qysh në vitin 2014 Kosova e ka miratuar Ligjin për Sigurime Shëndetësore. 9 vjet pas ende vijojnë përpjekjet, analizat, debatet, komentet e çka tjetër s’e si duhet të zbatohet ky ligj. Natyrisht se nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve përgjegjësia është qartësisht e ditur nga mungesa e vullnetit objektiv.

“Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2014, por ende nuk arritë me u fuqizu, s’e institucionet ende nuk i kanë bërë përgatitjet e duhura për një proces të tillë. Ajo çka ka ndodh deri më tani se është krijuar fondi i sigurimeve shëndetësore, ka një bord, një drejtor dhe disa punëtorë por që ende nuk kanë filluar t’a kenë rolin e tyre në atë se pse janë themeluar. Mungesa e sigurimeve shëndetësore ka shkaktuar probleme, vazhdon të shkaktojë probleme tek qytetarët për shkak se ata i ekspozon ndaj rrëziqeve finaciare kur ata kanë probleme shëndetësore. Gjithashtu ka edhe një problem tjetër për faktin se blerësi dhe ofruesi i shërbimeve tek ne janë bashkë, e në kushte normale duhet të ishin të ndara”, pohoi Kodra.

Kurse, anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga AAK, Shemsedin Dreshaj tha se në Komisionin për Shëndetësi është formuar një ligj, por që ne si anëtar nuk jemi të informuar për asgjë rreth këtij ligji.

“Sigurimet shëndetësore paraqesin një problem të madh për vendin dhe nuk është problemi se nuk kemi sigurime shëndetsore. Ne kemi një formë të sigurimeve shëndetësore, që i bie gati gratis, pra do të thotë, atë çka e siguron ministria e siguron përmes buxhetit. Por, fatkeqësisht meqenëse shërbimet nuk janë të përmbyllura atëherë një pjesë e madhe e kostos iu bie qytetarëve të vendit. Kjo do të thotë pagesë direkte nga xhepi. Arsyet se pse nuk është bërë janë të shumta deri më sot, por atë çka e shohim tash është se është krijuar një komision i cili është duke punuar në një ligj për të cilin ne ende nuk kemi apsolut kurrfarë informate tash si grup parlamentar për shëndetësi, as si Kuvend i Kosovës”, pohoi Dreshaj.

Vet ministri Shëndetësisë Arben Vitia ishte sot para Komisionit për Shëndetësi. Tha se kanë planifikuar t’i ndajnë mbi 41 milionë euro për ngritjen e shërbimeve shëndetësore.

Risjellim në vëmendje te lexuesi se qeveritë e Kosovës mos-zbatimin e sigurimeve shëndetësore e kanë justifikuar në dy rrafshe. Njëri argument ishte se ekonomia joformale është mjaft prezente dhe se shteti nuk ka të dhëna të sakta mbi të punësuarit “pa letra” e argumenti tjetër ka qenë presioni i FMN-së dhe I Bankës Botërore se Kosova nuk ka kapoacitet buxhetor për bërë aktiv fondin me mbi 200 milionë euro për të vënë kështu në jetësim këtë sistem jetik për progresin, sidomos në shëndetësinë publike.

Por një emërues i përbashkët me përmasa manipulative i gjithë këtyre viteve tregon se partitë politike për sa kohë që Kosova ka mbatur zgjedhje çdo herë e kanë pasur zotim thuajse kryesor shëndetësinë e veçanërisht vëniën në zbatim të skemës së sigurimeve shëndetësore. /Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua