Live

Kryetari i trupit gjykues në Hagë: Deri tani kanë dëshmuar mbi 100 persona, duhet gjykim i drejtë dhe i shpejtë

11:14 / 06 Maj 2024

Nga Kosova Live

Kryetari i trupit gjykues në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Charles Smith, ka thënë se deri më tash, në të gjitha formatet kanë dhënë dëshminë e tyre mbi 100 dëshmitarë, raporton Kosovalive.net,

Në fjalimin e tij para nisjes së seancës së sotme, Smith ka thënë se 60 prej të cilëve kanë qenë LIVE në gjykatore, kurse të tjerët me shkrim, apo me deklarata të tjera për dëshmitarët e vdekur ose që janë të sëmurë.

“Kemi pasur 60 dëshmitarë deri më tani, kemi pranuar 13 dëshmitarë sipas rregullit të caktuar, dhe deklaratat e 33 dëshmitarëve kemi pranuar që kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për arsye të ndryshëm. Numri i dëshmitarëve të Prokurorisë ka qenë 105 përfshirë këto që sapo citova, trupi gjykues ka pasur 427 parashtrime për të cilat është dashur të marrin vendim, kërkesa nga palët ose vendim, dhe janë marrë 367 vendime nga trupi gjykues. Kjo është punë e përbashkët që vjen në bazë të punës në sallën e gjyqit. Punë e jashtëzakonshme”, është shprehur ai.

Më tej, Smith ka bërë të ditur se gjatë muajit maj, ZPS-ja duhet të ofrojë një numër më të redaktuar të dëshmitarëve, nga 320 sosh sa ishin në fillim.

“Prokuroria ka thënë në fillim se do të kishte 320 dëshmitarë, e ka reduktuar numrin dhe brenda këtij muaji do të na jap një përditësim dhe shpresoj ta kenë reduktuar edhe më tutje. Dëshmitarët do të vinë në formate të ndryshme, herë me shkrim herë live”, ka thënë ai.

Gjyqtari Smith ka deklaruar se është me interes të madh që përveç që gjykimi të jetë i drejtë, ai të jetë edhe i shpejtë.

“Para 2 javësh filluam vitin e dytë të dëshmive, në mes të dhjetorit filluam diskutimet për këtë çështje gjyqësore. Në vijim të kësaj u mbajt edhe seanca e parë për ecurinë e çështjes gjyqësore, dhe objektivi ishte të zhvillohet sa më shpejt ky gjykim. Kërkuam ndihmën e të gjithëve të realizojmë këtë objektiv. Kemi kërkuar parashtrime, kemi përshtatur procedura. Me qëllim që ky gjykim të mos jetë vetëm i drejtë por efikas dhe i shpejtë”, ka deklaruar ai.

“Ka pasur shumë bashkëpunim nga të gjitha palët dhe trupi gjykues e vlerëson këtë. Ne do të vijojmë të jemi sa më efikas dhe iu falënderoj për këtë kontribut deri më tani”, është shprehur më tej Smith.

Ndryshe, në fund të muajit maj, ZPS-ja do të dorëzojë numrin e saktë të dëshmitarëve që synon t’i ftojë në sallë për të dëshmuar.

Kujtojmë se gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur më 3 prill të vitit të shkuar.

Ata akuzohen akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli dhe Krasniqi, dhe ish-deputeti Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Shpërndaje në

U Kopjua