Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, ka hedhur akuza ndaj lidershipit aktual të partisë për emërimin e figurave të panjohura, njerëz jopartiak, në pozita drejtuese.
Të mërkurën në Radio Televizionin e Kosovës, ai ka folur për dorëheqjen nga pozita e nënkryetarit dhe anëtarit të kryesisë së PDK-së, si dhe për zhvillimet brenda partisë.
Buja ka thënë se e ka pasur mungesë të plotë të komunikimit kryetar-nënkryetar, duke shtuar se asnjëherë nuk ka qenë në zyrën e kryetarit të partisë.
“Unë kam dhënë dorëheqje me 5 korrik të këtij viti, dhe kam renditur ato arsye që i kam dhënë aty dhe unë nuk kam qenë i gatshëm për ta bërë publike. Kush e nxori për media nuk e di. Nuk është dorëheqje nga partia sepse unë jam njëri ndër themeluesit të PDK-së. E para ka qenë që veprimi i kryesisë ka qenë jo shumë dinamik dhe unë nuk jam pajtuar me të. E dyta ka qenë që kabineti i qeverisjes së mirë nuk u bë asnjëherë”.
Tutje, Rama ka theksuar se ndër arsyet kryesore të dorëheqjes së tij ndërlidhet me emërimet e figurave që ai “as që i njeh” në Kabinetin për Qeverisje të Mirë (KQM).
Ish-ministri i Arsimit ka thënë se katër prej shefave të kabineteve që janë caktuar nga kryetari dhe kryesia e partisë, nuk janë as anëtarë të kryesisë.
Megjithatë, Rama nuk ka treguar se cilët janë 4 shefat e kabineteve të KQM-së, të cilët nuk i njeh, e të cilët u bënë shkak i dorëheqjes.
“Ky kabinet dhe më falnin 4 prej shefave të kabineteve që ka caktuar kryetari dhe kryesia e ngushtë unë nuk i di emrat e tyre, mund të jenë shumë të zot, por unë duke di se të cilët janë dhe nuk janë anëtar partie, sepse do të duhej të vinte dikush në parti dhe pastaj të merrte poste, sepse njërin prej tyre kur e pyetëm për partinë nuk e dinte. Këta emra janë diskutuar në mbledhjen e kryesisë së ngushtë”.
Nga muaji maj i këtij viti, PDK-ja filloi me caktimin e shefave të Kabinetit për Qeverisje të Mirë. Në pozita drejtuese të kabinetit u emëruan kryesisht figura të panjohura në aktivitetet politike.
Arben Mustafa, një financier, i cili aderoi në PDK dhe u caktua koordinator i Departamentit për Fincanca në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në të njëjtën ditë.
Njëjtë ndodhi edhe me Besa Kabashi – Ramajn, koordinatoren për Siguri dhe Mbrojtje në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së.
Kabashi – Ramaj ka punuar në SHBA dhe Evropë, me ekipe ndërkombëtare, në fushat e sigurisë kombëtare, reformës në sektorin e sigurisë, mbrojtjes dhe sigurisë njerëzore, thuhet në përshkrimin e PDK-së për koordinatoren e emëruar më 25 maj.
Ndër vite, Kabashi-Ramaj kishte mbajtur pozita kyçe shtetërore në ofrimin e ekspertizës së saj në fushën e sigurisë kombëtare për Qeverinë e Kosovës. Por, pavarësisht përvojës së saj në qeveri në të kaluarën, duket se as Kabashi-Ramajn nuk e kishte njohur ish-nënkryetari i PDK-së, Ramë Buja.
Një “shef” tjetër në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, të cilin Ramë Buja mund të mos e kishte njohur, është edhe Përparim Gruda, një jurist i sapo aderuar në PDK.
Gruda është një profesor i së Drejtës Kushtetuese, i cili drejton Departamentin për Drejtësi në KQM.
Partia Demokratike e Kosovës në maj kishte prezantuar Kabinetin për Qeverisje të Mirë, i përbërë nga 15 departamente, por shumica e pozitave nuk janë plotësuar me “shefa” departamentesh.