Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro janë pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se sipas diskutimeve që ka pasur me përfaqësues të këtyre shteteve, ata presin që të ketë përparime në dialog me Serbinë. Ndërkohë njohës të rrethanave politike konsiderojnë që diplomacia kosovare duhet të lobojë më shumë të këto shtete.
Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. E sigurisht që mosnjohja e tyre ka ndikuar dhe po vazhdon të ndikojë në rrugën integruese të Kosovës. Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, në një intervistë për Radio Kosovën ka deklaruar se sipas diskutimeve që ka pasur me përfaqësues të këtyre shteteve, ata presin që të ketë përparime në dialog me Serbinë dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
“Sipas asaj që kam parë unë gjatë diskutimeve të mia me përfaqësues të zyrave ndërlidhëse të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë zyrat e tyre në Prishtinë, ata presin të shohin përparim në dialogun me Serbinë dhe normalizim të raporteve. Kjo mendoj që mund të ndikojë te këto shtete për të parë se si do të vazhdojnë më tutje”, ka deklaruar Szunyog.
Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia, Qipro janë pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, që nga shpallja e pavarësisë 117 vende e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur. Izraeli është vendi i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovë, dy vite më parë.