Sot në Bruksel njëri ndër institucionet më të larta të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian ka publikuar raportin për Kosovën për vitin 2022, i cili po ashtu sot në Prishtinë iu dorëzua edhe liderve më të lartë shtetëror, presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ky raport vlerëson të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat, përfshirë edhe arritjet në fushën e ekonomisë, si dhe për veprimet e vendimet që i ka marrë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), për të ruajtur sistemin financiar duke menaxhuar edhe periudhën e pandemisë e cila kishte goditur në shumë vende financat
Në faqen 65 në raport shkruan se sektori financiar mbeti i qëndrueshëm dhe mbështetet nga rritja e fuqishme ekonomike . “Në gjysmën e dytë të vitit 2021, me rritjen e ritmit të rimëkëmbjes ekonomike, Banka Qendrore e Kosovës ndërmori masat që ishin të lidhura me pandeminë”, shkruan në raportin e Komisionit Evropian.
Po ashtu në raport theksohet se Pavarësia e Bankës Qendrore të Kosovës duhet të sigurohet nga përmirësimi i profesionalizmit dhe tejkalimi i ndikimeve politike në emërime. “Bordi Drejtues Mbikëqyrës i Bankës u bë funksional edhe një herë nga emërimi i dy anëtarëve të rinj, duke lejuar rivendosjen e një kuorumi. Një anëtar i pestë joekzekutiv u emërua më vonë për të përmirësuar funksionimin e bordit. Duhen më shumë përpjekje, si dhe nevojitet të sigurohet që të zbatohen parimet e transparencës dhe proceset e përzgjedhjes së bazuar në merita. Çdo ndikim politik në emërimet brenda Bankës cenon besimin e publikut në këtë shërbim”, thuhet në raport.