Live

Deklaratat e dy të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

16:22 / 19 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Kontradikta të theksuara janë vërejtur në deklaratat e të akuzuarit kryesor për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi. Jeton Vllasaliu, i marrë disa herë në pyetje, ka dhënë qëndrime të ndryshme në pothuajse secilën deklaratë. Megjithatë, në njërën prej tyre, ai e ka pranuar vrasjen e Rexhepit. Gazeta Nacionale i ka siguruar deklaratat në aktakuzën e dorëzuar dje dhe sjell detaje.

Më datën 7 tetor 2021, përderisa ishte marrë në pyetje nga Prokuroria, Jeton Vllasaliu kishte konfirmuar se e ka mbytur biznesmenin Bedri Rexhepi. Ai, megjithatë, kishte mohuar se kjo kishte ndodhur për shumën e 30 mijë eurove. Vllasaliu ka thënë se gjithçka kishte nisur nga një përplasje çasti. Në Novobërdë, Vllasaliu pretendon se kishin shkuar për të shikuar një tokë për të cilën ishte i interesuar Bedri Rexhepi.

“Mbërritëm te ara, e kqyrëm, biseduam qysh e tek, unë i tregova atij rreth çmimit të tokës, ku ja majta 500 euro arin, ndërsa ai ishte i interesuar për 20 – 25 ari. Prej aty kemi shkuar te shtëpia e Nexhatit në Vllasali, me kerr, dhe kemi shku te kulla, aty s’ka pas asnji veturë. E kemi vërejt dhe kemi vazhdu para oborrit të shtëpisë. Kemi hy në oborr, nja 20 minuta duke lëviz në oborr, i thashë Bedriut: po hyjmë me pi kafe. I kemi pirë kafet, pastaj kemi fillu një fjalosje me të, jemi ngrit në këmbë, e kam kap për fyti Bedriun, e kam rrëzuar në tokë, afër shporetit të druve dhe kauqit, ashtu kam vazhdu me majt derisa nuk ka lëviz më Bedriu, dhe kur e kam pa që nuk po lëviz, kam tentu me i dhanë ndihmë, e kam ndrydh në gjyks 5 – 6 minuta, jam munu me ia kthy jetën. I kam qit ujë të ftohtë, por nuk lëvizte. Kur e vërejta që nuk po lëviz fare, e kam marrë një kese të najlonit me ngjyrë të zezë dhe ia kam vendos atë llastik në kokë Bedriut, e kam lidh me konop toje, këtë veprim e kam bërë pasi nuk kam mujt me pa në fytyrë, dhe trupin e kam qitë në katin e tretë”, thuhet në një pjesë të dëshmisë së Jeton Vllasaliut, në aktakuzën e siguruar nga Nacionale.

Pas vrasjes, Jeton Vllasaliu kishte konfirmuar se e ka kontaktuar vëllanë e tij, Nexhatin, me të cilin do të shkonin të nesërmen në Novobërdë për ta fshehur trupin.

“Nexhati më ka thënë: banja qaren vetit qysh dush e shko, hiqma njerin prej shtëpie, se ka me kallë atë shtëpi. Tu e lutë, ai pranoi me më ndihmu. Të nesërmen në mëngjes, pa u zdritë, unë kam dalë edhe më tha hyp në kerr, jemi nisur në drejtim të Novobërdës. Rrugës më ka qortuar: “çka ke ba” dhe më tha: “lajmëroje rastin”. Shkuam direkt te shtëpia. kemi shkuar afër plemes. ia kam çelë dyert edhe kemi shku te shtëpia. E kam marrë ni perde edhe kemi hyp nalt. Pasi kemi arritur te kufoma e Bedriut, u kthy mrapa, i thashë hajde nimom edhe ka ardhë me më nimu, e kemi pështjellë trupin me perde dhe e kemi marrë konopin. Dolëm poshtë në korridor, e kam lëshu trupin në bagazh të veturës. Mrena, në shupë, e kam marrë një kaci të zallit dhe një kazmë”, kishte deklaruar më tej Jeton Vllasaliu.

Ai kishte treguar edhe detaje të tjera për veprimet e Bedri Rexhepit.

“Gjatë kohës sa isha duke e ngulfatur, i ndjeri u mundu të mbrohej duke më shty, por ngjarja ka qenë aq e shkurtër, sa nuk kishte çka të bënte. Qëllimi i shprehjes “edhe kësaj here ndihmomë” ka qenë se ai mua mu ka gjetë shumë herë për punë të shtëpisë, siç i ndihmon vëllau vëllait. Me datë 07.04, në Viber e kam pyetur Bedriun: a i ke gati paret për të shkuar me i marrë veturat, i kam fshirë pastaj, por Bedriu nuk ka pasur para me veti ditën kritike. Kemi pasur me shku në Ferizaj, por e kam bindur me shku në Vllasali, por jo me qëllim që të ndodhë mbytja e tij”, deklaroi Jeton Vllasaliu në aktakuzë.

E kur ishte intervistuar më 23 shtator 2022, Jeton Vllasaliu e kishte ndryshuar pak përshkrimin për atë se si ishte zhvilluar ngjarja. Nuk e përmend në asnjë moment vëllanë e tij, Nexhat Vllasaliun.

“Me datë 8 prill 2021, kam shkuar me Bedri Rexhepin me këqyr një pronë të cilën ka qenë i interesuar me ble. Aty, pas disa fjalëve, ka ndodhë një mosmarrëveshje, Bedriu më ka sharë me rob dhe aty e kam godit me grusht në gjyks dhe Bedriu ka ra me kokë në guri. Derisa kam shkuar me marr makinën, Bedriu ka vdekë. Pastaj kam këqyr ku me e lanë trupin dhe ia kam ngjit një kese në kokë. Pasi e kam qu në mal, e kam pasë një kazme dhe e kam varrosë Bedriun dhe jam kthyer te kerri”, thuhet në aktakuzë.

Në deklaratat e Jeton Vllasaliut, më 15 shtator 2022 si dhe 13 shtator e 28 prill 2021, ai thotë se me Bedriun ishte ndarë për herën e fundit afër Shkollës Teknike. Pra, nuk përmend ndonjë konflikt që ka ndodhur.

E ngjarjen në tërësi e ka mohuar vëllai i Jetonit, Nexhat Vllasaliu. Ai ka thënë se nuk ka folur asnjëherë për djegien e shtëpisë dhe as nuk është përmendur Bedri Rexhepi.

“Me datën 8 prill, kur kam shkuar me marrë Jetonin, nuk kam vërejtur ndonjë ndryshim. Nuk është përmendur emri i Bedri Rexhepit. Nuk jemi marrë vesh me Jetonin për me shku nesër herët në Vllasali. Nuk është përmendur policia asnjëherë. Nuk më ka shkuar mendja dhe nuk më shkon mendja me kallë shtëpinë time”, ka thënë Nexhat Vllasaliu në dëshminë e tij, raporton Nacionale.

“Me datë 8 prill, Jetoni më ka thirrë disa herë në telefon dhe më ka pyet: ku je. Jam kthy në shtëpi. Gjatë rrugës me Jetonin, kemi biseduar për ndërtim dhe Jetoni ka qenë i qetë. Unë kam deklaruar më herët që Jetoni është kthyer në këmbë, sepse nuk kam dashtë me marrë ndonjë barrë, se kam thanë ban vaki ka diçka ky e nuk kam dashtë”, kishte theksuar Nexhat Vllasaliu.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...