Është publikuar një “skenar” i ri për marrëveshjen e mundshme Kosovë -Serbi, e cila duhet të arrihet më së largu deri më 24 shkurt, në përvjetorin e parë të luftës në Ukrainë. Sipas këtij plani të publikuar në Albanian Post,Serbia s’do duhej ta ndryshonte Kushtetutën (ku Kosova figuron si pjesë e saj), e as Kosova të sajën, për ta akomoduar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ky medium shkruan se në rast se palët nuk binden, ndërkombëtarët do të organizonin një konferencë ndërkombëtare për të siguruar marrëveshje brenda ditësh.
Perëndimi(SHBA dhe BE), duket se janë duke i shtyrë Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë një marrëveshje brenda një afati sa më të shkurtër. Dje, Emisari I SHBA’së Gabriel Escobar bëri të qartë se dy palëve u është propozuar nga Berlini e Parisi një marrëveshje që nuk e ka njohjen në qendër, por që do të shërbente për të ecur tutje.
Sipas Albanian Post “Palët do të kenë shumë përfitime, në afat të mesëm dhe të gjatë”, nëse bëhen pjesë e këtij plani të ri ndërkombëtar, por po ndodhi e kundërta është treguar “edhe një shkop shumë i ashpër”, për këdo që nuk tregohet konstruktiv në këtë fazë.
Duke elaboruar pikat konkrete ky medium shkruan se “pajtimi i parë duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt. Serbia në këtë fazë s’ka nevojë ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Njëjtë, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, por pa e ndryshuar Kushtetutën. Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, megjithatë, për momentin, nuk do të themelojë nivel të ri të pushtetit. Nëse arrihet pajtim, ka pako financiare. Nëse nuk arrihet, “shkop të rëndë” për palën penguese. Urgjenca për marrëveshje lidhet me situatën në Ukrainë. Po që se dy palët refuzojnë të bëhen partnerë bashkëpunuese, komuniteti ndërkombëtar ka një rrugë të tretë për të arritur në një formë tjetër atë që po e kërkon aktualisht përmes “Shuttle diplomacy”-së” shkruan Albanian Post.
Tutje thuhet se “asociacioni duhet të mishërojë praktikat më të mira të mundshme të garancive për komunitetin serb”.
Escobar theksoi dje se me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani I ka diskutuar modelet e mundshme se si do të duket Asoaciacioni por AP shkruan se “disa nga versionet tashmë u janë prezantuar edhe të mërkurën nga Escobar, presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti”.
“Nëse palët refuzojnë të pajtohen për skenarin përpara dhe refuzojnë fillimin e rrugëtimit konkret drejt fazës së fundit për pajtim final, ndërkombëtarët kanë parashikuar edhe një skenar alternativë, ku do ta merrnin procesin krejtësisht në dorën e tyre”.
Nëse palët nuk binden, sipas Albanian Post, SHBA dhe BE, duke I përdorur praktikat e negociatave sic ëshrë rasti me Dayton’in “do të mund ta përshpejtonin arritjen e një pajtimi, duke i larguar liderët dhe ekipet negociatore nga komfort-zona e tyre dhe mbledhur në një vend të gjitha palët, për të dalur me një marrëveshje brenda ditësh”.