Autoritetet e Kosovës nga nesër do të nisin të shqiptojnë masat e qortimit, me kërkesën që pronarët e veturave me targa ilegale të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
Mirëpo deri më tani ky vendim i marrë nga Qeveria e Kosovës nuk është mirëpritur nga serbët brenda vendit, të cilët kanë thënë se nuk do ta përfillin.
Kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Milan Radojeviq, ka thënë sot se në atë qytet ka tension për shkak të vendimeve që kanë marr institucionet e Kosovës për riregjistrimin e automjeteve. Sipas tij, serbët në Kosovë nuk do të ndryshojnë qëndrim dhe nuk do të heqin dorë nga targat e lëshuara nga Serbia.
“Nëse vazhdojnë me lëvizje të njëanshme që do të rezultojnë në presion edhe më të madh dhe gjoba, sigurisht që do të ketë reagim. Ne nuk do të lejojmë asnjë konfiskim të automjeteve. Ne qëndrojmë në këmbë dhe duam të bëjmë një jetë të denjë si njërëz. Kështu që serbët do të sillen nesër sikur të ishte një ditë normale pune”, tha Milan Radojeviq.
Në një paraqitje për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, mes tjerash ka theksuar se përgjigja e serbëve nga veriu i Kosovës do të pasojë pas dënimit të parë për shkak të mos riregjistrimit.
Kujtojmë, se edhe pak orë kanë mbetur nga vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në ato RKS i cili është paraparë të zbatohet shkallë-shkallë për gjashtë muaj.