Ndihmëssekretarja e Departamentit të Shtetit Amerikan, Karen Donfried ka thënë se situata e tensionuar në veri të Republikës së Kosovës rrezikon progresin e bërë në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ajo ka thënë se SHBA-ja është e angazhuar në këtë çështje dhe se po punohet 24/7.
Donfried ka thënë se emisari Gabriel Escobar, këshilltari i DASh Derek Chollet, por edhe vetë Sekretari Blinken ka realizuar një numër telefonatash si shenjë e angazhimit për paqen në Ballkanin Perëndimor dhe mes Kosovës dhe Serbisë.
“Unë dua të theksoj që SHBA është thellë e angazhuar në këto çështje. E kemi Gabriel Escobarin që po punon 24/7 për këtë çështje. E kemi edhe këshilltarin e DASH, Derek Chollet po merret me këto çështje, por edhe Sekretari vetë ka bërë disa thirrje. Fillimisht dua të theksoj kontributin që jemi duke dhënë”, ka thënë Donfried.
Donfried gjithashtu ka rikujtuar faktin se Administrata e Joe Biden ka kërkuar shtyrjen e plotë të vendimit për targa.
“Ne në Administratën e Biden kemi qenë duke kërkuar një shtyrje të plotë të implementimit të vendimit për targat. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe diskutimet po vazhdojnë. Kështu që s’dua të paralajmëroj ndonjë veprim specifik apo hap që ne po diskutojmë apo planifikojmë. Por jemi shumë të angazhuar për të monitoruar situatën”, ka thënë Donfried.
Ajo tutje ka thënë se rruga përpara është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqendruar në njohje reciproke.
“Rruga përpara është përmes dialogut të BE-së. Përmes dialogut Kosova dhe Serbia duhet të vijnë tek një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqendruar në njohje reciproke dhe që hap rrugën drejt integrimeve. Prandaj ne mbështesim plotësisht këtë dialog”, ka thënë Donfried.
“Është e rëndësishme që të dy palët të shfrytëzojnë këto bisedime për të demonstruar përkushtimin e tyre për paqe në rajon”, ka shtuar tutje.
Donfried gjithashtu ka përmendur planin frank-gjerman të cilin thotë se Washingtoni e ka mirëpritur meqë e ka parë si të drejtë që dialogu Kosovë-Serbi të vendoset në një kornizë më të madhe gjeostrategjike sesa të diskutohet për çështje të vogla si puna e targave.
“Dhe kemi propozimin franko-gjerman në rrugën përpara, që ne e kemi mirëpritur. Sepse ne kemi menduar që është e rëndësishme që të vendoset raporti Kosovë-Serbi në në një kornizë më të madhe strategjike në vend se të vazhdohet të diskutohet për traga.
Ne do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar për këtë, mendojmë se është mënyra për progres. Por është e vështirë dhe bashkë me BE-në do të qëndrojmë të përkushtuar për të shtyrë përpara”, ka thënë Donfried.