Ramadan Osmani, vëllai i presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, është përzgjedhur për t’u punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) në pozitën: mbikëqyrës i lartë bankar, raporton Kallxo.com.
Sipas tyre, njoftimi për kandidatin e caktuar për pozitën mbikëqyrës i lartë bankar në Departamentin e Mbikëqyrjes Bankare është bërë në hyrje të objektit të BQK-së. Ky institucion, përkundër që publikon të gjitha vendimet rreth funksionimit të tij, këtë njoftim për punësimin e vëllait të presidentes nuk e ka publikuar fare në ueb-faqe
Sipas njoftimit të BQK’së, Ramadan Osmani ka arritur të marrë 176 pikë (në mesatare) në testin me shkrim dhe intervistën nga 200 sa ishte totali i pikëve të mundshme.
Në garë për këtë pozitë ishin katër kandidatë, ndërsa kandidati i dytë ka marrë 155 pikë, apo 21 pikë më pak se Osmani
Në ueb-faqen e Bankës Qendrore të Kosovës nuk ka asnjë njoftim për shpallje të konkursit, kriteret, procedurat dhe rezultatet e konkursit.
I pyetur rreth punësimit të tij, Ramandan Osmanin nuk ka pranuar të përgjigjet.
“A po e sheh ku jam duke punu? Ditën e mirë!” – ka qenë përgjigjja e shkurtë e Osmanit derisa ka qenë duke hyrë në objektin e Bankës Private për Biznes.
Ai nuk ka filluar ende punën në këtë institucion, pasi ende është periudha e ankimimit për kandidatët e pasukesshëm për këtë pozitë.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje shtesë Ramadan Osmanit, fillimisht përmes zedhënëses së Bankës Private për Biznes e më pas edhe në numrin e tij personal, por ai nuk është përgjigjur.
Sipas profilit të tij zyrtar në rrjetin social ‘Linkedin’, Ramadan Osmani me profesion është financier, ndërsa sipas të dhënave që ka publikuar vetë në këtë rrjet social, ai është i punësuar në Bankën Private për Biznes që nga shkurti i vitit 2020.
Ndërsa, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmetin, përmes telefonit ka thënë se nuk ka informata dhe ka kërkuar që të kontaktohet BQK-ja, e cila deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.
Nga presidenca nuk e kanë mohuar se vëllai i presidentës është punësuar në BQK. Ai ka thënë se presidentja nuk ushtron ndikim për punësim në asnjë institucion.
“Presidentja nuk ushtron ndikim për punësim në asnjë institucion, në asnjë konkurs apo çështje që lidhet me procedura punësimi për askë. Për çështje të tjera, drejtohuni në institucionin e apostrofuar (BQK)” – ka thënë Bekim Kupina për Kallxo.com.