Kanali shtetëror rus Russia Today (RT) njoftoi sot se ka filluar me transmetimin online, gjegjësisht përmbajtjen në ueb të programit të tij në gjuhën serbe, shkruan ba.voanews.
Këtë lajm e ka konfirmuar në Twitter kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, me mesazhin: “RT e kemi nisur në Ballkan. Sepse Kosova është Serbi”.
Në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e Russia Today në gjuhën ruse, bëhet e ditur se transmetimi i programit televiziv në gjuhën serbe do të fillojë në vitin 2024.
“Ndoshta askund në botë nuk na kanë pritur si këtu. Dua t’u drejtohem serbëve të dashur në gjuhën e tyre: ‘Vëllezër, shikoni RT-në’”, tha Margarita Simonyan në një njoftim zyrtar nga televizioni shtetëror rus.
RT, si një media e kontrolluar nga Kremlini dhe e financuar nga buxheti i shtetit, është e ndaluar të transmetojë në Bashkimin Evropian që nga marsi i vitit 2022.
Është cilësuar si çelësi i përhapjes së propagandës ruse dhe është objektivi i një pakete të gjerë sanksionesh kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Por autoritetet në Serbi, pavarësisht thirrjeve nga Brukseli, refuzojnë t’i respektojnë sanksionet evropiane.
BE-ja reagoi ndaj njoftimeve të para se RT mund të nisë programin e saj në serbisht në korrik të vitit 2022.
Më pas u njoftua se Brukseli pret që Serbia të përmbahet nga intensifikimi i marrëdhënieve me Rusinë.
Në deklaratën e 15 korrikut të zëdhënësit të Komisionit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, theksohet se Serbia pritet t’i respektojë vendimet e Bashkimit Evropian, ndër të cilat është kufizimi i transmetimit të televizioni shtetëror rus RT.
“RT është pjesë e instrumenteve të propagandës dhe dezinformimit rus, me të cilat Kremlini monitoron agresionin e paligjshëm kundër Ukrainës dhe vrasjet e popullit ukrainas”, tha Stano.