Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti me anë të një postimi në Facebook ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me politikën e jashtme.
Hamiti theksoi se Kosova s’ka marr asnjë njohje gjatë kohës sa është në pushtet Qeveria Kurti, shkruan kosovalive.net
Ai shtoi se Qeveria po rrezikon të mbyllë dyert e hapura për vendin tonë.
POSTIMI I PLOTË:
Politika e jashtme e Kosovës me Qeverinë aktuale
Asnjë njohje e re e Republikës së Kosovës. S’bëhet fjalë për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë gjatë kësaj qeverisjeje. Për jokompetencë dhe skandale të protagonistëve të politikës së jashtme, po.
Pa politikë të qartë, pa koordinim me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë.
Dialogu për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – që duhej të ishte i përqendruar në njohje reciproke – është kthyer në negociata për targa, që po vazhdojnë edhe sot. Qeveria më jotransparente për dialogun deri sot. Jotransparencën e quan transparencë.
Nuk janë hapur dyer të reja. Qeveria rrezikon të mbyllë dyert e hapura për vendin tonë.
Asnjë arritje konkrete. Dështime po.
Krejt ndryshe thoshte Qeveria në Programin e vet qeverisës në pranverën e vitit 2021:
“Politika e jashtme e Republikës së Kosovës synon forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës dhe për arritjen e këtij synimi do të jetë e pavarur, serioze, e parashikueshme dhe e guximshme, si dhe bashkëpunuese me aleatët e miqtë tanë – ShBA-të dhe vendet e BE-së. Me orientimin e saj të qartë politik për vendosjen e shtetit ligjor, qeveria e Republikës së Kosovës do të hapë dyer të reja. Ky orientim dhe besimi masiv qytetar kanë krijuar simpati dhe mbështetje të gjerë te partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, si bazë e re mbi të cilën politika e jashtme e Kosovës do t’i arrijë synimet e saj konkrete.”
Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025, f. 56