Vërshimet gjatë së dielës kanë krijuar probleme tek qytetarët – pos dëmeve materiale edhe uji është turbulluar.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut turbullira është lartë dhe se pamundësohet trajtimi i ujit në sasi më të mëdha.
Megjithatë uji do të lëshohet për Fushë Kosovën, lagjen “Kalabria” dhe Zonën Industriale nga ora 17:00 deri në 21:00.
“Por drejtoria teknike me ekipe është vazhdimisht në teren dhe presim që uji të lëshohet sot nga ora 17:00 deri në 21:00, ndërsa ditën e nesërme do të ketë ujë nga ora 07:00-09:00”.
“Turbullira është jashtëzakonisht e lartë në kanal, andaj me kapacitete teknike jemi duke bërë çmos që së paku të keni ujë sot nga ora 17:00-21:00, për aq kohë sa stabilizohet situata e krijuar pas reshjeve. Ndërsa Drenasi do të ketë çrregullime të kohë pas kohshme”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, me përmbytje të shumta aktualisht janë duke u përballur këto komuna: Peja, Gjakova, Deçani, Juniku, Istogu, Vushtrria e Mitrovica.
Situatë më e rënduar duket në Pejë dhe në Mitrovicë ku niveli i ujit në lumenjtë e këtyre dy qyteteve është rritur dukshëm dhe rrezikon të dalë nga shtrati.