Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka shprehur falënderim ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, për rolin që ka luajtur në marrëveshjen e djeshme me Serbinë në Bruksel për çështjen e targave.
Përmes një shkrimi në Twitter të enjten, Kurti paralajmëroi se tani është hapur rruga për të zhvilluar bisedime për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë bazuar në propozimin e BE-së.
“Nuk ka kohë për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj. Pajtueshmëria e djeshme hap rrugën për bisedime intensive për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë bazuar në Propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja. Mirënjohës ndaj ambasadorit Hovenier për rolin, mbështetjen dhe përkushtimin e tij”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Marrëveshjen për targat e njoftoi dje përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell. Sipas marrëveshjes, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.