Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në një klinikë private në Gjilan, ku doktori Iljasa Fazliu, defektolog i Logopedisë, po dyshohet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj një fëmije me autizëm. Ai është arrestuar nën dyshimin se ka keqtrajtuar një 5-vjeçare, teksa po e trajtonte në qendrën rehabilituese defektologjiko-logopedike AAR LOGO PLUS. Arrestimi i tij erdhi pasi i njëjti fillimisht u sulmua nga prindi i një fëmije, i cili e akuzoi për keqtrajtim të vajzës së tij me autizëm.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka arrestuar mjekun e dyshuar dhe dy familjarët e vajzës 5 vjeçare që dyshohet se kanë rrahur mjekun.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, dy prej tyre pasi që kanë sulmuar fizikisht të dyshuarin e tretë i cili është mjek, të cilit i kanë shkaktuar lëndime. I dyshuari i tretë është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprën trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe për shkak të sulmit ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndryshe, Fazliu është edhe ushtrues i detyrës së shefit të shërbimit të Logopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pozitë kjo të cilën e kishte marrë në shtator të këtij viti.
Seanca dëgjimore për rastin pritet të mbahet të hënën dhe vepra për të cilën mjeku Fazliu do të hetohet sanksionohet me Kodin Penal të Republikë së Kosovës dhe dënohet edhe me burgim.
VIDEO: