Një grua shtatzënë e në prag të lindjes së foshnjës së saj është vrarë mbrëmjen e së mërkurës, nga ish-burri i saj në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë.
Lidhur me rastin, ka filluar mbledhja e grupit të ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional, i cili ishte paralajmëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë. Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë. Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave. Nesër në orën 08 e 30, mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional”, pati deklaruar Haxhiu.
“Një grua dhe foshnja që priste ta sillte në jetë u vranë tek shkallët e repartit të gjinekologjisë. Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë. Brenda 5 ditëve dy gra të vrara nga bashkëshortët. Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë. Një grua që duhej të mbrohej. Ajo u shua. U shua bashkë me fëmijën ende të pa lindur”.