Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për anulimin e pjesshëm të vendimit Nr.1458/2022 (pika I dhe IV mbetën në fuqi) duke njoftuar se nga e hëna të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës do të rifillojnë punën me kapacitete të plota.
Pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës do të vazhdojë deri në një vendim tjetër, ndërsa KPK dhe prokuroritë do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet tjera ku pjesëmarrja përcaktohet me legjislacionin në fuqi, njofton Klankosova.tv.
Ky vendim i KPK-së vjen pas Aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila ka aprovuar propozimin për caktimin e masës së sigurisë lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve.
Edhe me këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës i bënë thirrje Qeverisë të Republikës së Kosovës që të bëjë shfuqizimin e vendimit të saj Nr.03/109, të datës 23 nëntor 2022, për zvogëlimin e pagave të prokurorëve.