Live

Rikthehet besimi në ekonominë shqiptare pas katër muajsh rënie

08:55 / 08 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Pas katër muajsh radhazi në rënie, besimi në ekonomi iu rikthye rritjes në nëntor.

Bazuar në vrojtimin e përmuajshëm të Bankës së Shqipërisë, në nëntor treguesi i ndjesisë ekonomike të bizneseve dhe qytetarëve u rrit me 2 pikë, nivel ky që ngjall shpresa dhe në raport të mirë me mesataren afatgjatë.

Në këtë përmirësim, ndikim kanë pasur optimizmi në sektorin e ndërtimit dhe atë të shërbimeve. Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 5.8 pikë, kjo si pasojë e kërkesës aktuale dhe asaj të pritshme për të blerë apartamente.

Më shumë pritshmëri ka shfaqur edhe zinxhiri i sipërmarrjeve në fushën e tregtisë, duke bërë që treguesi i besimit në këtë sektor të rritet me 0.5 pikë.

Klientët e tyre, nga ana tjetër, konsumatorët, kanë shfaqur po ashtu më shumë gjallëri se në muajt e shkuar. Me krizën nëpër këmbë e cila pritet të theksohet edhe më tej me festat e fundvitit, konsumatorët shohin dritë në fund të tunelit të çmimeve, duke bërë që besimi i tyre në ekonomi të rritet lehtë pas shumë muajsh në rënie.

Por jo çdo degë e ekonomisë e sheh perspektivën me këtë frymë. Rritja e çmimeve për lëndët e para dhe shtrenjtimi i energjisë, përherë e më shumë po zhysin në pesimizëm prodhuesit. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, besimi në ekonomi i industrisë ra më tej me 3.8 pikë në nëntor.

Rënia e konsumit dhe mungesa e fuqisë punëtore janë po ashtu arsye që po ndikojnë te rënia e besimit të prodhuesve.

Të gjithë aktorët ekonomikë do të vazhdojnë t’i mbajnë sytë nga çmimet edhe në vijim, teksa një krizë e mundshme në Evropë do të nënkuptonte më pak kontrata porositëse nga partnerët e huaj, por edhe kosto të rritura importi.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...