Një aksident i rëndë ka ndodhur në veri të qytetit italian, Torino. Një 18-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Blendi Halili, ka vdekur. Gazeta italiane, “Corriere Torino”, ka raportuar se i riu ende nuk e kishte patentën e shoferit.
18-vjeçari u përplas në murin e objektit të një ish-fabrike përderisa ishte duke drejtuar një veturë të vogël, të tipit “Ford Ka”. Thuhet se vetura ishte pronë e babait të tij.
I riu vdiq në vendin e ngjarjes. Tre djem të tjerë, të moshave 16 deri 18-vjeçare, ishin duke udhëtuar me të. Tre djemtë arritën të dilnin nga vetura dhe u dërguan në spital. Trupi i pajetë i 18-vjeçarit mbeti i djegur në veturë.
Katër shokët ishin duke u kthyer nga një ndejë, me gjasë pas festës për ditëlindjen e ndonjërit prej tyre. Autoritetet lokale janë duke e hetuar rastin.