Katër persona të komunitetit serb janë rrëmbyer gjatë dy ditëve të fundit në veri të Kosovës, që dyshohet nga agjentë sekret të Serbisë, raporton agjencia e lajmeve KosovaPress.
Sipas burimeve të KP-së nga veriu, viktimat janë D. N., V. I., B. P. , dhe D. S., (emrat e njohur për redaksinë), të cilët pas rrëmbimit janë dërguar menjëherë në Serbi.
“D.S. është rrëmbyer në fshatin Soqanicë të Zvecanit të shtunën mbrëma. Fillimisht është rrahur nga katër të maskuar, meqë viktima ka refuzuar të hyjë në automjetin e tyre, dhe pastaj është dërguar në Serbi përmes rrugëve ilegale.
Të njëjtën natë është futur me forcë në xhipin e zi pa targa edhe viktima me inicialet B. P. Ngjarja me këtë të fundit ka ndodhur në Leposaviq. Ndërkaq, të dielën gjatë natës po ashtu në Leposaviq, janë rrëmbyer D. N., ish polic i Kosovës, si dhe V. I. , afarist”, kanë thënë burimet.
Burimet më tej shtojnë se rrëmbyesit që dyshohet të jenë agjentë sekretë të Serbisë, kanë përdorur maska dhe xhipa të zi, ndërsa deri tash nuk dihet motivi i rrëmbimit të tyre.