Ekziston rreziku për përshkallëzim të paparashikueshëm në pjesën veriore të vendit, ka vlerësuar Lëvizja për Bashkim, derisa i kanë bërë thirrje edhe Qeverisë të Kosovës të mos rrezikojnë acarimin e raporteve me forcën ndërkombëtare paqeruajtëse të NATO-s.
“Çështja e veriut të Kosovës është ekskluzivisht çështje politike dhe zgjidhet vetëm me mjete politike. Çdo përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje me mjete policore apo ushtarake, nga cilado anë qoftë, do të sjellë gjendje edhe më të rëndë, e me pasoja edhe më të mëdha”, tha Lëvizja për Bashkim.
“Qeveria e Kosovës që nga fillimi nuk është dashur të lejojë që të vijë situata deri këtu, por së paku tani duhet ta ketë parasysh se çdo përshkallëzim i saj mund të sjellë deri te rëndimi i mëtutjeshëm i situatës dhe deri te viktima të pafajshme e të panevojshme”, vlerësojnë ata.
Reagimi i plotë:
Jo zgjidhja e çështjeve, por moszgjidhja e tyre mund të çojë në luftë
Situata në në veri është mjaft e nderë dhe e mbarsur me rrezikun për përshkallëzim të paparashikueshëm.
Qeveria e Kosovës që nga fillimi nuk është dashur të lejojë që të vijë situata deri këtu, por së paku tani duhet ta ketë parasysh se çdo përshkallëzim i saj mund të sjellë deri te rëndimi i mëtutjeshëm i situatës dhe deri te viktima të pafajshme e të panevojshme.
Kryeministri Kurti, duke qenë kundër “shkëmbimit të territoreve” që do të duhej të realizohej duke respektuar vullnetin e qytetarëve të cilët jetojnë në vazhdimësi territoriale me shtetin amë, po del hapur kundër vetëvendosjes së kombeve dhe rrjedhimisht edhe kundër zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura në mes të Kosovës e Serbisë. Kjo politikë e tij mbart në vete rrezikun e përhershëm të një konflikti të armatosur, që nuk i duhet askujt. Për më tepër kjo politikë vazhdon të injorojë çështjen e Kosovës Lindore, e që e vendos vetë Kosovën në pozitë të pafavorshme dhe shqiptarët në Kosovën Lindore i lë nën mëshirën e Serbisë.
Edhe thirrjet e opozitës për intervenim në veri janë dashakeqe dhe të dëmshme për Kosovën dhe interesat e saj. Këto përpjekje të opozitës janë nxitje e qeverisë për ta thelluar gabimin, në ndërkohë që gabimet e mëtutjeshme nuk do të rëndonin vetëm mbi qeverinë, por mbi krejt Kosovën.
Çështja e veriut të Kosovës është ekskluzivisht çështje politike dhe zgjidhet vetëm me mjete politike. Çdo përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje me mjete policore apo ushtarake, nga cilado anë qoftë, do të sjellë gjendje edhe më të rëndë, e me pasoja edhe më të mëdha.
Kushdo që tenton ta përdorë forcën në veri duhet ta ketë parasysh se në mënyrë automatike e aktivizon forcën ushtarake të KFOR-it, si forca e vetme e thirrur për çështjen e paqes dhe sigurisë në atë pjesë të Kosovës. Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e Serbisë dhe t’i acarojë raportet me faktorët ndërkombëtarë (SHBA e BE), e posaçërisht në këto rrethana me KFOR-in. Acarimi i raporteve të Kosovës me forcat e KFOR-it, apo të NATO-s në asnjë rast nuk janë në interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Lëvizja për Bashkim
27.12.2022