Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën e Shqipdon Fazliut, njërit prej kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, i cili ka ushtruar kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së procesit.
Në një aktvendim të shpallur të enjten, Gjykata Supreme e ka vlerësuar si të pabazuar ankesën e Shqipdon Fazliut.
“Refuzohet si e pabazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor e parashtruar nga paditësi, Shqipdon Fazliu, kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit- Departamenti për Çështje Administrative në Prishtinë”, thuhet në aktvendim.
Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë të gjykatës që kishte hedhur poshtë ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit.
“Me aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, të datës 01.09.2022, refuzohet si e pabazuar ankesa e paditësit Shqipdon Fazliu ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative i datës 02.08.2022, vërtetohet”, thuhet n aktvendim.
Shqipdon Fazliu nuk kishte arritur të listohet i pari në garën për Kryeprokuror të Shtetit, në një procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të cilin e kishte zhvilluar Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në maj të këtij viti, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, por vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani e ka pranuar vendimin, por ka thënë se vendimin final lidhur me dekretimin e të propozuarit për Kryeprokuror të Shtetit do ta marrë pas vendimit të gjykatave.
“Është vendim i Kushtetueses a do ta dekretoj apo jo. Natyrisht, unë po e respektoj parimin e sundimit të ligjit, dhe po e respektoj sistemin tonë juridik. Po i pres gjykatat në mënyrë që ato të deklarohen lidhur me çështjet që janë ngritur nga kundërkandidatët, cili do që jenë ata”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani të mërkurën në Klan Kosova.
“Unë as s’kam pyetur se kush janë personat që e kanë dërguar lëndën, por lënda për momentin është në gjykata. Në momentin që përfundon kjo procedurë, unë do t’i marr ato vendime që natyrisht do të më ndihmojnë mua në marrjen e vendimit final. Por, shqyrtimin e gjithë dokumentacionit që e kam do ta bëj si presidente dhe do ta marr vendimin”, ka thënë Osmani.
Më 13 qershor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar shtatë prokurorë me mandat fillestar, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Por, ndryshe nga afati ligjor prej 60 ditësh për dekretimin e prokurorëve, presidentja e Kosovës nuk ka ndonjë afat kushtetues dhe ligjor për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i kishte skaduar mandati më 21 prill.
Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.